Sveçla: Banorëve të Kalabrisë po u shkelen të drejtat kushtetuese
Punimet e papërfunduara në kolektorin e ujërave të zeza në lagjen Kalabria, konkretisht në rrugën “Rexhep Krasniqi”, po vazhdojnë të rëndojnë jetën e banorëve dhe të paraqesin shqetësim serioz për shëndetin publik.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit, në këtë zonë janë evidentuar probleme që lidhen me cenimin e të drejtave kushtetuese të banorëve. Ujërat e zeza, mbeturinat, brejtësit, insektet dhe aroma e rëndë kanë krijuar kushte të papërshtatshme jetese.
Banorët po përballen me vështirësi në shfrytëzimin e oborreve dhe hapësirave të tyre private, ndërsa janë raportuar edhe probleme shëndetësore që kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar duke ia atribuar përgjegjësinë për moszgjidhjen e problemit kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Sipas Sveçlës, Rama ishte njoftuar për gjendjen që në vitin 2024, por pavarësisht kalimit të dy viteve, ndërhyrjet e nevojshme nuk janë përfunduar.
Raporti i Avokatit të Popullit kërkon marrjen e masave të menjëhershme dhe përshpejtimin e punimeve në këtë zonë, duke vlerësuar se vazhdimi i gjendjes aktuale nuk është në përputhje me detyrimet e Komunës së Prishtinës.
Sveçla i ka bërë thirrje kryetarit Rama që të japë përgjegjësi para banorëve dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e një problemi që po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
