Zbulohet se kush e thirri Vuçiqin në natën e zgjedhjeve dhe i ktheu ushtrinë e policinë nga rrugët: “Do të kishte përfunduar në luftë civile”
Ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kandidati i SNS-së për kryeministër në natën e zgjedhjeve tërhoqi forcat e sigurisë nga Parku i Pionierëve për shkak të kërkesës së Bashkimit Evropian, që ushtroi presion mbi të për ta parandaluar që të nxisë konflikte që mund të shndërroheshin në një luftë civile.
Këtë të dhënë e zbuloi ish-ambassadorja belge në Beograd, Denise de Hauwere, në një intervistë për televizionin Insajder.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian nuk ka qenë thjesht një vëzhgues pasiv i ngjarjeve në Serbi në prag të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 25 tetor, e as në ditën e zgjedhjeve, kur autoritetet e Vuçiqit rreth ndërtesës së Presidencës dhe Komisionit Republikan të Zgjedhjeve vendosën një numër të madh pjesëtarësh të forcave të sigurisë, gjë që shtoi edhe më shumë frikën nga konfliktet e mundshme.
“Me siguri keni dëgjuar se pikërisht falë Bashkimit Evropian Vuçiqi tërhoqi ushtarët dhe policinë nga Parku i Pionierëve. Bashkimi Evropian ushtroi presion mbi të që të mos niste diçka që mund të kishte përfunduar në luftë civile. Kjo tregon se BE-ja e përcjell me shumë vëmendje se çfarë po ndodh,” tha De Hauwere, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Brukseli do t’i përcjellë me më shumë vëmendje zhvillimet në Serbi pasi Lista Studentore të formojë qeverinë.
Ajo shtoi se BE-ja e bënte këtë edhe para rënies së regjimit të Vuçiqit.
Ish-ambasadorja tërhoqi vërejtjen gjithashtu për, siç thotë ajo, iluzionin e përhapur se Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës: “Kjo thjesht nuk është e vërtetë, megjithëse qytetarëve serbë u është thënë e kundërta me vite.”
Ajo kujtoi se as vetë Bashkimi Evropian nuk ka një qëndrim unik rreth pavarësisë së Kosovës, pasi pesë nga vendet anëtare të tij ende nuk e njohin Kosovën.
Përveç çështjes së Kosovës, gjatë formësimit të politikës ndaj Serbisë, Brukseli ka marrë parasysh edhe interesat gjeopolitike. De Hauwere konsideron se Bashkimi Evropian frikësohej se me presion të tepruar ose me ndalimin e ndihmës financiare mund ta shtynte edhe më shumë Serbinë në krahët e Rusisë dhe Kinës.(INA)
