TË FUNDIT

Kërçeli publikon shifrat: Importet e energjisë nga Serbia ranë ndjeshëm në periudhën 2021–2026

Importet e energjisë elektrike nga Serbia kanë shënuar rënie të theksuar në periudhën 2021–2026, krahasuar me pesëvjeçarin paraprak. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të publikuara nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, nga viti 2015 deri në vitin 2020 Kosova kishte importuar 2,582 GWh energji elektrike nga Serbia, ndërsa në periudhën 2021–2026 vetëm 50 GWh.

Kërçeli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të dhënat e paraqitura në disa tabela gjatë një emisioni televiziv kanë konfirmuar, sipas tij, deklarimet e bëra të premten gjatë interpelancës për energjinë.

Ai ka theksuar se Kosova nuk ka importuar mbi një miliard euro energji elektrike nga Serbia brenda një viti dhe as gjatë katër viteve të fundit.

Sipas tij, nga viti 2019 deri në vitin 2026, Kosova ka importuar gjithsej një miliard euro energji elektrike, ndërsa vetëm 0.65 për qind e importeve kanë ardhur nga Serbia. Kërçeli ka shtuar se këto importe janë realizuar nga kompani private dhe jo nga KEK-u.

Duke iu referuar vitit 2026, deputeti ka bërë të ditur se importet e energjisë elektrike kanë arritur vlerën prej 200 milionë eurosh, ndërsa nga Serbia janë importuar vetëm 700 mijë euro, apo 0.35 për qind e totalit.

Sipas Kërçelit, edhe këto importe janë realizuar nga kompani private për tregun e lirë dhe jo nga ndonjë ndërmarrje publike.

Ai ka njoftuar gjithashtu se nga 16 nëntori kompanive private u është ndaluar importimi i energjisë elektrike nga Serbia. Sipas tij, kjo masë reciprociteti është ndërmarrë si përgjigje ndaj bllokimit të linjës së transmisionit që kalon nëpër Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *