TË FUNDIT

Mediat maqedone: Shqipëria i dha vetëm pak sekonda Fetait, sa për ta ‘rezervuar’ që të mos luajë për Maqedoninë!

Aktualizimi i fundit nga bota e futbollit ka sjellë reagime të shumta në mediat e rajonit, pasi mesfushori i talentuar me origjinë nga Shkupi, Feta Fetai, karegjistruar paraqitjen e tij të parë zyrtare me fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë.

Siç shkruan portali sportiv maqedonas Sport1.mk, përcjell agjencia e lajmeve INA, debutimi i Fetait erdhi në ndeshjen kundër Bjellorusisë në kuadër të Ligës së Kombeve, e cila u mbyll me fitoren e kuqezinjve prej 2-0. Megjithatë, ajo çfarë ka marrë vëmendjen kryesore në opinionin sportiv fqinj është minuta e aktivizimit të tij. Sipas Sport1.mk, përcjell agjencia e lajmeve INA, selektori i Shqipërisë e futi në lojë në minutën e 90-të, duke zëvendësuar Kristjan Asllanin, një lëvizje kjo që sipas mediave maqedonase u bë thjesht për ta “rezervuar” përfundimisht lojtarin dhe për t’i mbyllur përgjithmonë dyert e mundësisë për të luajtur për Maqedoninë e Veriut.

Mediat rikujtojnë rrugëtimin e futbollistit, i cili është i lindur në Çair të Shkupit.

Hapat e parë i bëri te Shkupi, ku kaloi tetë vite, për të kaluar më pas te Rabotniçki ku fitoi hapësirë në ekipin e parë, para se në vitin 2023 të transferohej te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci.

Në rrafshin e përfaqësueseve, Fetai më parë ka mbrojtur ngjyrat e grupmoshave të reja të Maqedonisë (U-18 dhe U-19). Megjithatë, duke filluar nga viti 2024, ai vendosi të pranojë ftesën e Shqipërisë, fillimisht duke u paraqitur me sukses te Kombëtarja U-21, e tashmë duke kurorëzuar këtë rrugëtim edhe me debutimin historik në ekipin e parë seniore. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *