TË FUNDIT

Tre burra dënohen me vdekje në Jordani për sulmin e përgjakshëm ndaj një kishe

Një gjykatë në Jordani ka dënuar tre burra me vdekje me varje, pasi i shpalli fajtorë për sulmin e armatosur ndaj një kishe muajin e kaluar, ku mbetën të vrarë nëntë persona dhe u plagosën 34 të tjerë.

Sulmi ndodhi më 23 tetor, gjatë një ceremonie mortore të komunitetit të krishterë në një kishë ortodokse greke në provincën Karak, transmeton Telegrafi.

Forcat e Armatosura të Jordanisë njoftuan të dielën se tre të dënuarit u shpallën fajtorë për kryerjen e “akteve terroriste”, posedim të armëve, “promovim të ideve të një organizate terroriste” dhe “komplot për kryerjen e akteve terroriste”.

Tre burrat, dy vëllezër jordanezë dhe kunati i tyre, u larguan nga vendi i sulmit dhe u arrestuan tri ditë më vonë. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.

Provinca Karak është shtëpi e një komuniteti të konsiderueshëm të krishterë, në një mbretëri ku shumica e popullsisë është myslimane.

Pamjet e kamerave të sigurisë nga dita e sulmit treguan tre persona të armatosur që iu afruan kishës së Shën Gjergjit, në fshatin Hmoud, dhe hapën zjarr ndaj saj.

Në një video tjetër shiheshin persona të vrarë dhe të plagosur të shtrirë në tokë, ndërsa në kishë mbretëronte kaos.

Deri më tani nuk është bërë e qartë se përse autorët kishin zgjedhur pikërisht këtë kishë si objektiv të sulmit.

Menjëherë pas ngjarjes, mbreti i Jordanisë, Abdullah II, shkroi në platformën X se sulmi terrorist në Karak do të merrte përgjigjen më të ashpër.

“Ata që mashtrohen duke menduar se mund t’i përçajnë jordanezët me plumbat e tyre, nuk kanë asnjë shans përballë unitetit tonë”, deklaroi ai.

Pas sulmit, tre të dyshuarit u lokalizuan në një shtëpi të braktisur në provincën Karak, në jug të kryeqytetit Aman.

Sipas Drejtorisë së Sigurisë Publike, ata refuzuan të dorëzoheshin dhe hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë, të cilat kundërpërgjigjën duke i plagosur të tre. Asnjë pjesëtar i forcave të sigurisë nuk u lëndua gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Mbreti Abdullah vlerësoi forcat e sigurisë për ndjekjen e të dyshuarve deri në arrestimin e tyre.

Një javë pas sulmit në Karak, ushtria jordaneze ndërmori sulme në Siri ndaj, siç i cilësoi, “organizatave terroriste”, në shenjë hakmarrjeje për sulmin ndaj kishës.

Zyrtarët shëndetësorë sirianë i thanë mediave shtetërore se nga sulmi në një fshat të provincës jugore Daraa u vranë pesë persona, përfshirë gra, fëmijë dhe një të moshuar.

Ndërkaq, Jordania deklaroi se avionët e saj luftarakë kishin vrarë dhe plagosur “disa terroristë”, pa dhënë detaje të tjera.

Ammani tha se operacioni ishte koordinuar me qeverinë siriane, por autoritetet e Sirisë deklaruan se nuk ishin njoftuar paraprakisht.

Në Jordani, ekzekutimet kryhen me varje. Mbretëria kishte respektuar më parë një pezullim jozyrtar të ekzekutimeve nga viti 2006 deri më 2014, si dhe një tjetër ndërprerje nga viti 2017 deri në qershor të këtij viti. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *