Konsullata e Kosovës në Iowa nderon veteranët amerikanë, shfaqet filmi “Misioni i Gazetarit”
Konsullata e Republikës së Kosovës në Iowa ka marrë pjesë në një ngjarje të veçantë në Shtëpinë e Veteranëve të Iowas, në qytetin Marshalltown, ku është shfaqur filmi “Misioni i Gazetarit” (The Journalist’s Mission).
Ngjarja u organizua me ftesë të komandantit Todd Jacobus, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetarët e komunave amerikane Mike Ladehoff i Marshalltown-it, Paula Dierenfeld e Johnston-it dhe Tom Phillips i Norwalk-ut.
Përfaqësuesit e Konsullatës shprehën mirënjohjen e tyre ndaj veteranëve amerikanë për shërbimin, guximin dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar kontributin e tyre në shërbim të vendit, shkruan Telegrafi.
Me këtë rast, Konsullata e Kosovës shprehu gjithashtu falënderimin për miqësinë dhe partneritetin e vazhdueshëm të shtetit të Iowas me Kosovën, marrëdhënie që ndër vite janë forcuar përmes lidhjeve ndërmjet qytetarëve, shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet u vlerësua si një mundësi për të thelluar raportet ndërmjet Kosovës dhe Iowas, si dhe për të shprehur respektin ndaj veteranëve amerikanë, të cilët kanë një vend të veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/
