Qindra burra protestojnë në Bernë kundër dhunës ndaj grave
Qindra burra kanë protestuar në sheshin Bundesplatz, para Parlamentit Federal në Bernë të Zvicrës, kundër dhunës ndaj grave, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe angazhim nga burrat në luftën kundër këtij fenomeni.
Protesta, e cila zgjati rreth një orë, u organizua nga një aleancë e gjerë ku përfshiheshin Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP) dhe komiteti “Männer gegen Gewalt an Frauen” (Burrat kundër dhunës ndaj grave).
Organizatorët u bënë thirrje burrave që të tregojnë solidaritet me viktimat, të mos heshtin përballë dhunës dhe të reagojnë kur përballen me raste të tilla në rrethin e tyre shoqëror.
Sipas organizatorëve, dhuna ndaj grave në shumicën e rasteve ushtrohet nga burrat, prandaj ata duhet të marrin përgjegjësi dhe të kundërshtojnë hapur sjelljet e dhunshme, përfshirë edhe ato të personave të afërt, shkruan SRF, transmeton Telegrafi.
Gjatë protestës u theksua edhe përmasat e ngacmimeve dhe dhunës seksuale në Zvicër.
Sipas shifrave të përmendura nga organizatorët, më shumë se gjysma e grave në vend kanë përjetuar ngacmime seksuale, ndërsa një në pesë gra ka qenë viktimë e veprimeve seksuale të padëshiruara.
Me këtë aksion solidariteti, pjesëmarrësit synuan të dërgojnë mesazhin se lufta kundër dhunës ndaj grave nuk është vetëm përgjegjësi e viktimave apo e institucioneve, por kërkon edhe angazhimin aktiv të burrave. /Telegrafi/
