Iseni: Macura i bleu aksionet për hyrjen në Alta Bankë drejtpërdrejt nga kompania e krushkut të Ali Ahmetit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN-it, Astri Iseni ka akuzuar ish-strukturat e BDI-së dhe rrethin familjar të kryetarit të saj, Ali Ahmeti, për një skemë të dyshuar financiare që, sipas tij, lidhet me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.
Në një konferencë për media, ai tha se oligarku serb Davor Macura, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, ka marrë kontrollin mbi ish-“Stopanska Bankën” e Manastirit, e cila më vonë u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”, duke blerë aksionet nga kompania familjare e Selahudin Arifit, të cilin e cilësoi si krushk të Ali Ahmetit.
Sipas Iseni-it, në tetor të vitit 2024 kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selahudin Arifit, kishte hyrë në sektorin bankar duke blerë një paketë të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit.
“Davor Macura i blen aksionet për hyrje në Alta bankë drejtpërdrejt nga krushku i Ali Ahmetit”, deklaroi zëvendësministri, duke pretenduar se transaksionet e mëvonshme krijojnë një lidhje financiare mes kompanisë së Arifit dhe biznesit të Macurës. Ai iu referua edhe një kredie prej 5 milionë eurosh, për të cilën tha se më 9 qershor 2025 një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ahmetit e kishte marrë drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.
Sipas Iseni-it, disa muaj më vonë ka ndodhur edhe transaksioni i aksioneve.
“Vetëm tre muaj më vonë, më 17 shtator 2025, ndodh akti përfundimtar: kompania ‘AS Senjak’ e krushkut të Ahmetit zyrtarisht ia shet aksionet e saj në bankën e Manastirit pikërisht Davor Macurës dhe ‘Alta Bankës’ së tij, duke i mundësuar kështu marrjen e drejtpërdrejtë të bankës në Maqedoni”, tha Iseni në konferencë për shtyp.
Sipas tij, pretendohet se kronologjia e këtyre transaksioneve ngre dyshime që, sipas tyre, duhet të hetohen nga institucionet kompetente.
“Skema në relacionin Zajaz – Kërçovë – Beograd është e qartë si kristali”, deklaroi zëvendësministri, duke e lidhur kredinë e qershorit me shitjen e aksioneve në shtator.
Iseni ngriti disa pyetje lidhur me burimin e financimit dhe natyrën e transaksioneve. Mes tyre është pyetja nëse kredia prej 5 milionë eurosh e dhënë në qershor nga “Alta Banka” në Beograd kompanive të lidhura me rrethin familjar të Ahmetit mund të ketë shërbyer, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për financimin e hyrjes së Macurës në tregun maqedonas.
Po ashtu, zëvendësministri kërkoi sqarime nëse shitja e aksioneve më 17 shtator 2025 ka qenë e lidhur me kredinë e marrë në qershor dhe sa ka qenë, sipas tij, diferenca në çmim, fitimi neto apo komisionet e mundshme të realizuara nga rrethi familjar i biznesit të Ahmetit.
Iseni përmendi edhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi. Iseni pretendon se ata kanë mbështetur politikisht hyrjen e “Alta Bankës” në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut.
“Derisa ata politikisht ia hapnin rrugën në institucionet shtetërore, krushku i Ali Ahmetit ia ruante dhe më pas ia rishiste aksionet Davor Macurës”, u tha nga VLEN.
Zëvendësministri Iseni kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare që të nisin hetim për transaksionet e përmendura.
“Prokuroria publike dhe Drejtoria e inteligjencës financiare nuk kanë më asnjë justifikim për të pritur. Kërkojmë hetim urgjent që do t’i vë në një linjë kredinë prej 5 milionë eurosh të 9 qershorit 2025 dhe shitjen e aksioneve të 17 shtatorit 2025”, deklaroi ai. Në fund, Iseni tha se sistemi bankar i vendit nuk duhet të bëhet, siç u shprehën, “pre e oligarkëve rajonalë në paraburgim dhe e kartelit familjar të biznesit të Ali Ahmetit”, duke kërkuar që për transaksionet të ketë përgjegjësi financiare dhe penale nëse hetimet konstatojnë shkelje të ligjit.
