POLITIKATË FUNDIT

VLEN: Një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ahmetit ka marë 5 milionë euro nga Alta Banka në Serbi, jo në Maqedoni!

VLEN ka publikuar pretendime të reja lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se oligarku serb Davor Macura i ka blerë aksionet e bankës drejtpërdrejt nga kompania familjare e Selahudin Arifit, krushkut të Ali Ahmetit.

Sipas pretendimeve të VLEN-it, transaksionet financiare që përfshijnë një kredi prej 5 milionë eurosh në qershor të vitit 2025 dhe shitjen e aksioneve në shtator të po atij viti ngrenë dyshime për një skemë të ndërlidhur biznesore.

Në komunikatën e publikuar, VLEN rikujton se në tetor të vitit 2024, kompania e Kërçovës “AS Senjak”, në pronësi të Selahudin Arifit, kishte blerë një pako të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit, e cila më vonë u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”.

Sipas VLEN-it, më 9 qershor 2025, një kompani e lidhur me rrethin familjar të Ali Ahmetit kishte përfituar një kredi prej 5 milionë eurosh nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.

” ” Ndërkaq, më 17 shtator 2025, vetëm tre muaj pas dhënies së kredisë, kompania “AS Senjak” ia kishte shitur aksionet e saj në bankën e Manastirit Davor Macurës dhe “Alta Bankës”, duke i hapur rrugë marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoninë e Veriut.

Duke i ndërlidhur këto zhvillime, VLEN ngre dyshime se kredia prej 5 milionë eurosh dhe shitja e aksioneve mund të kenë qenë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë financiare.

VLEN kërkon përgjigje për disa çështje kyçe:

* A e ka financuar Davor Macura hyrjen e tij në tregun maqedonas përmes kredisë prej 5 milionë eurosh, të dhënë kompanive të lidhura me rrethin familjar të Ali Ahmetit?

* A ishte shitja e aksioneve më 17 shtator 2025 një kompensim i paracaktuar për kredinë e dhënë në qershor?

* Sa ishte fitimi neto dhe diferenca në çmim që përfituan personat e përfshirë në këtë transaksion?

Në komunikatë, VLEN përmend edhe ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, duke pretenduar se ata kishin luajtur rol në lehtësimin e hyrjes së “Alta Bankës” në sektorin financiar të Maqedonisë së Veriut.

Sipas VLEN-it, ndërsa ish-funksionarët e BDI-së politikisht i hapnin rrugë bankës në institucionet shtetërore, kompania e krushkut të Ali Ahmetit kishte mbajtur dhe më pas shitur aksionet te Davor Macura.

Në fund, VLEN i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare që të nisin një hetim urgjent për të gjitha transaksionet e përmendura.

Partia kërkon që të hetohen në mënyrë të ndërlidhur kredia prej 5 milionë eurosh e 9 qershorit 2025 dhe shitja e aksioneve e 17 shtatorit 2025, me qëllim që të sqarohet nëse ka pasur marrëveshje të paracaktuar dhe nëse janë shkelur ligjet financiare.

VLEN vlerëson se sistemi bankar i Maqedonisë së Veriut nuk duhet të jetë objekt i interesave të oligarkëve rajonalë dhe rrjeteve të lidhura të biznesit, duke kërkuar përgjegjësi të plotë financiare dhe penale nëse konstatohen shkelje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *