TË FUNDIT

Në librin e tij, Biden shpreh zhgënjimin ndaj Netanyahut për dëmet e shkaktuara ndaj civilëve në Gaza

Në fragmente të publikuara të premten nga libri i tij i ri me kujtime, ish-presidenti amerikan Joe Biden shprehu zhgënjimin e tij ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për ato që Biden i quajti premtime të thyera në mënyrë të përsëritur lidhur me ndërmarrjen e hapave për të zbutur dëmet ndaj civilëve gjatë luftës Izrael-Hamas në Gaza.

Biden tha se shpresat e tij për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme u “shkatërruan” nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor 2023, i cili nisi luftën; ai kujtoi se si e kishte telefonuar Netanyahun disa herë atë ditë.

“Doja që ai ta dinte vendosmërinë time për të siguruar që një ditë si kjo të mos ndodhte kurrë më”, shkroi Biden në një kopje paraprake të librit ‘Promise me, America’, e cila u sigurua nga disa media amerikane.

Biden tha se, që nga fillimi i konfliktit, ai “i kishte kërkuar vazhdimisht Izraelit të merrte masa paraprake” – shqetësime që, siç u shpreh ai, i kishte përcjellë “privatisht në shumë biseda me Bibin” (duke përdorur nofkën e Netanyahut).

Sipas Bidenit, kryeministri “e pranoi dëmin që ky numër në rritje i viktimave po i shkaktonte imazhit të Izraelit dhe mbështetjes së SHBA-së për luftën”, megjithatë “u krijua një skenar i njohur: ai premtonte të bënte më shumë, por më pas pasonte një tjetër veprim agresiv, duke vrarë edhe më shumë civilë”.

“Kur u kërkonim llogari për këtë, izraelitët kishin gjithmonë një shpjegim ose justifikim, por rezultati mbetej i njëjtë. Bibi nuk e kishte aspak problem të jepte premtime që nuk kishte as fuqinë – e as ndërmend – t’i mbante”, vazhdoi Biden.

“Edhe pse e kuptoja se ai po punonte nën presione të mëdha, ndihesha i zhgënjyer nga dështimi i tij për të menduar si burrë shteti dhe për të mbrojtur interesat afatgjata të Izraelit, në vend që të përqendrohej vetëm te nevojat e tij politike afatshkurtra”, shtoi ai.

Biden gjithashtu mbrojti vendimin për t’i ofruar ndihmë Izraelit, pavarësisht se kjo çështje u bë tejet e diskutueshme mes demokratëve.

Biden shpjegoi se, si president, ai besonte se duhej të “mbështeste interesat e Amerikës dhe aleatët e saj”, por shtoi: “që nga rikthimi i Netanyahut në pushtet në fund të vitit 2022, ndjeva se mbrojtja e Izraelit nënkuptonte mbrojtjen e tij si nga armiqtë, ashtu edhe nga vetvetja”.

“Unë dhe ai mund të ishim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, por nuk kishte ndonjë besim të madh”, tha Biden për Netanyahun.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Netanyahu lidhur me pjesët e shkëputura nga libri i Bidenit.

Izraeli ka theksuar vazhdimisht se synon të minimizojë viktimat civile dhe ka vënë në dukje se Hamasi i përdor civilët e Gazës si mburoja njerëzore, duke luftuar nga zona civile, përfshirë shtëpi, spitale, shkolla dhe xhami. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *