Salihu: Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të jenë testi i vërtetë për Listën Studentore në Serbi
Në një reagim mbi qëndrimet e Listës Studentore dhe diskursin politik në Beograd, afaristi dhe politikani medvegjas në Itali, Muharrem Salihu, ka theksuar se demokratizimi i vërtetë i Serbisë nuk matet me retorikë evropiane, por me trajtimin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe kjo do jetë një sprovë.
“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të jenë testi i vërtetë nëse Lista Studentore synon të ndërtojë një Serbi që punon për qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, apo nëse do të vazhdojë të mbetet peng i fantazmave të së kaluarës. Testi nuk do të jetë vetëm retorika për një Serbi më demokratike, por gatishmëria për të garantuar të drejta të barabarta, për të ndalur pasivizimin dhe kthimin e adresave, që është kthyer në një mekanizëm të deportimit administrativ të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre, dhe për t’ua rikthyer qytetarëve të drejtat që u janë mohuar” , theksoi Salihu.
Sipas tij, përfaqësues të Listës Studentore kanë folur për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, por fqinjësia e mirë nuk ndërtohet vetëm përtej kufijve.
“Ajo nis brenda tyre, me respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të qytetarëve që u përkasin bashkesiveetnike. Nuk mund të kërkosh respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë, pa dëshmuar më parë se respekton të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Një Serbi që kërkon të ardhme evropiane nuk mund ta ndërtojë atë duke mohuar të drejtat e shqiptarëve brenda kufijve të saj. Demokracia nuk provohet me mënyrën si trajton shumicën, por me mënyrën si garanton dinjitetin dhe barazinë e atyre që janë më pak. Presheva, Medvegja dhe Bujanoci nuk janë një çështje periferike, por prova se sa larg është Serbia e re nga e shkuara e saj” , shkroi në postimin e tij në facebook, Muharrem Salihu.(INA)
