Reshitaj: Do të jem gardiane e zbatimit të Ligjit për Byronë, shumë maska do të bien
Ish-deputetja Albena Reshitaj ka deklaruar se do të angazhohet për zbatimin pa kompromis të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përmes një postimi në Facebook, Reshitaj ka thënë se ka qenë njëra ndër përkrahëset e fuqishme të këtij ligji dhe ka kontribuar në shtyrjen e tij përpara.
Ajo është zotuar se do të jetë gardiane e zbatimit të tij, pa dallim dhe pa kompromis.
“Shumë maska do të bien!”, ka shkruar Reshitaj, duke pretenduar se pas deklaratave publike për ndershmëri fshihen të vërteta për keqpërdorimin e shtetit dhe pasurimin në kurriz të qytetarëve.
Sipas saj, qytetarët meritojnë të dinë se kush e ka keqpërdorur shtetin dhe kush është pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme.
Reshitaj ka theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se pozita, pushteti apo lidhjet politike nuk duhet të shërbejnë si mburojë ndaj drejtësisë.
“Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të jetë fundi i arsyetimeve të rreme dhe fillimi i llogaridhënies së vërtetë!”, ka deklaruar ajo.
