TË FUNDIT

“Nuk kishte asgjë për të deklaruar”, por i gjenden 150 mijë euro në veturë– Dogana jep detaje të rastit në Vërmicë

Zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës të Doganës së Kosovës kanë zbuluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, ku gjatë kontrollit të një veture janë gjetur 150,000 euro të padeklaruara.

Dogana e Kosovës njofton se të enjten, më 12 nëntor rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë, drejtuesi i së cilës, pas pyetjes nga zyrtarët doganorë, ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

“Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të veturës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara. Fillimisht, drejtuesi i veturës ka deklaruar verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, ndërsa pas numërimit është konstatuar se bëhej fjalë për 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh”, thuhet në njoftim.

Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë këto veprime:

• 37,500 euro (25%) janë konfiskuar per mosdeklarim

• 112,500 euro (75%) janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

Dogana njofton më tej se lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve i Doganës së Kosovës, zyrtarët e të cilit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren.

“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, me udhëzim të tij, drejtuesi i veturës dhe vetura janë liruar, ndërsa personi është obliguar të paraqesë dokumentacion mbështetës për të dëshmuar prejardhjen e mjeteve monetare.

Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë është detyrim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga Republika e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *