TË FUNDIT

Down Syndrome Kosova siguron objekt të ri në Ferizaj, qiraja mbulohet për dy vjet

Qendra e organizatës Down Syndrome Kosova në Ferizaj ka siguruar një zgjidhje të përkohshme për vazhdimin e shërbimeve, pasi ditë më parë kishte paralajmëruar mundësinë e ndërprerjes së tyre për shkak të kushteve në objektin ku vepronte.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Sebahate Hajdini Beqiri, ka bërë të ditur se, falë kontributit të Agon E. Zhinipotokut dhe asamblistes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vanesë Sadriu Topojani, qendra shumë shpejt do të zhvendoset në një objekt të ri.

Përmes një postimi në Facebook, Hajdini Beqiri ka bërë të ditur se hapësira e re ofron kushte dhe standarde më të mira për zhvillimin e aktiviteteve të organizatës.

Ajo ka falënderuar dy kontribuuesit, duke theksuar se angazhimi i tyre ka mundësuar vazhdimin e shërbimeve dhe ka shmangur një situatë që mund të çonte deri në mbylljen e qendrës.

“Kontributi i z. Agon dhe znj. Vanesa bëri të mundur që shërbimet tona të mos ndërpriteshin dhe që, shumë shpejt, të zhvendosemi në hapësira më komode dhe më të përshtatshme për fushëveprimtarinë tonë”, ka shkruar ajo.

Drejtoresha ekzekutive i është drejtuar veçmas asamblistes Topojani, duke e falënderuar për angazhimin që personat me sindromën Down të mos vazhdojnë të qëndrojnë në hapësira që, sipas saj, ishin bërë të pasigurta dhe rrezikonin ndërprerjen e shërbimeve.

Ndërsa, për Agon Zhinipotokun ka thënë se kontributi i tij është i rëndësishëm për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit me sindromën Down, si dhe për prindërit e tyre në Ferizaj.

Megjithatë, Hajdini Beqiri ka theksuar se zgjidhja e siguruar është vetëm e përkohshme, pasi qiraja e objektit të ri është mbuluar për një periudhë dyvjeçare.

Ajo i ka bërë thirrje Komunës së Ferizajt që gjatë kësaj periudhe të shqyrtojë mundësitë për sigurimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për hapësirat e qendrës.

“Qendra jonë në Ferizaj tashmë ka një zgjidhje të përkohshme. Qiraja e objektit të ri është e mbuluar për dy vjet. Megjithatë, kjo periudhë duhet të shërbejë edhe si një mundësi për Komunën e Ferizajt që t'i shqyrtojë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për sigurimin e hapësirave dhe vazhdimësinë e shërbimeve për personat me sindromën Down”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, shërbimet për këtë kategori nuk duhet të varen nga zgjidhjet e përkohshme, por të kenë siguri dhe qëndrueshmëri institucionale.

“Urojmë që pas dy vjetësh të mos gjendemi sërish përballë të njëjtës situatë që na solli deri këtu këto ditë. Shërbimet për këta fëmijë, të rinj dhe të rritur nuk duhet të varen nga zgjidhjet e përkohshme, por duhet të kenë siguri dhe qëndrueshmëri institucionale”, ka theksuar ajo.

Ndryshe, ditë më parë, Hajdini Beqiri kishte paralajmëruar se organizata mund të detyrohej t'i ndërpriste shërbimet në Ferizaj, për shkak të kushteve në objektin ku funksiononte qendra.

Ajo kishte treguar se më 9 nëntor hapësira ishte vërshuar nga ujërat e kanalizimit, si pasojë e një defekti në rrjet, ndërsa kishte përmendur edhe shqetësimet për sigurinë në lagjen ku ndodhej objekti.

Para disa ditësh, drejtoresha ekzekutive kishte kërkuar nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, që të gjente një zgjidhje për sigurimin e një hapësire të përshtatshme, në mënyrë që shërbimet terapeutike dhe sociale për personat me sindromën Down të mos ndërpriteshin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *