Maran zbulon çfarë nuk i pëlqeu ndaj Finlandës, pavarësisht fitores së Shqipërisë
Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, është shprehur i lumtur pas fitores ndaj Finlandës, duke theksuar se përtej rezultatit, skuadra arriti të dhurojë një mbrëmje të veçantë për tifozët kuqezi.
Trajneri italian vlerësoi atmosferën në stadium dhe paraqitjen e futbollistëve, ndërsa bëri të ditur se tashmë vëmendja do të jetë te përballja e radhës ndaj Bjellorusisë.
“I lumtur? Si të mos jem! Përtej rezultatit, ishte një festë për të gjithë. Tifozët u argëtuan, u kthyen në shtëpi me buzëqeshje dhe të lumtur për këtë fitore. Në këto orë do t'i gëzohemi kësaj fitoreje, sepse që nga nesër do të mendojmë për Bjellorusinë”.
“Futbolli ka ndryshuar pak. Nuk bëhet vetëm nga individët, por nga kërkimi i pozicionit dhe presioni ndaj ekipit kundërshtar. Këta djem e interpretojnë mirë këtë. Në letër i vendosim në një mënyrë, por më pas mundohemi të gjejmë zgjidhjet e duhura në fazën e mbajtjes së topit. Edhe kur mbrohemi, përdorim karakteristikat tona për të qenë efikasë”, u shpreh ai.
Maran vlerësoi gjithashtu paraqitjet e disa futbollistëve, duke përmendur Pilo, Hysajn dhe Mitajn, por insistoi se meritat duhet t'u atribuohen të gjithë lojtarëve.
“Të përmend vetëm një emër nuk do të ishte e drejtë. Edhe Hysaj, nga ana tjetër, po bën mirë. Mitaj po luan në një rol që e ka praktikuar pak, por po e bën në mënyrë shembullore, shpesh duke u pozicionuar në qendër apo duke dalë përpara. Mendoj se të gjithë po japin kontributin e tyre në këtë mënyrë”.
Sa i përket paraqitjes ndaj Finlandës, italiani pranoi se skuadra pati momente kur u tërhoq më shumë seç duhej, veçanërisht në fund të pjesës së parë.
“Në fund të pjesës së parë u tërhoqëm dhe nuk ushtruam presion. Ne nuk duhet të bëhemi ekip pasiv, sepse kur ndodh kjo, kundërshtarët gjejnë hapësira dhe bëjnë lëvizjet e tyre. Duhet të kemi presionin e duhur. Kur e ulim atë, siç ndodhi në fund, shihet se nuk jemi aty ku duhet”.
“Mendoj se kemi pasur shumë prekje në zonën kundërshtare dhe kemi qëndruar shpesh aty. Në tranzicione duhet të jemi shumë më mirë. Nuk patëm shumë gjuajtje, por krijuam shumë situata dhe arritëm të qëndronim në zonën kundërshtare. Ishte një ndeshje e ekuilibruar dhe kjo ndikoi shumë”.
Në fund, Maran foli edhe për golin e Ernest Muçit, duke vlerësuar cilësinë e realizimit dhe rëndësinë që sulmuesi ka në skuadër.
“Unë zgjedh rëndësinë, por ai ka shënuar një gol të madh. Me kontrollin dhe goditjen e një goli të tillë, këtë e pres nga ai dhe të tjerët. Na ka treguar se mund të shënojë gola të tillë. Jam i bindur se i ka në këmbët e tij këto cilësi. I përgëzova djemtë dhe tani duhet të rikuperojmë, sepse të dielën kemi një tjetër betejë”, përfundoi Maran./ Telegrafi/
