POLITIKATË FUNDIT

Kurti takon shefin e NATO-s në Dublin, rithekson synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në margjinat e Samitit të IX të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas Kurtit, në takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të KFOR-it, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Po ashtu, temë e bisedës kanë qenë zhvillimet aktuale dhe situata e sigurisë në rajon.

Kryeministri theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike mbetet një prioritet strategjik, duke vlerësuar se përmbushja e këtij synimi do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjate jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në gjithë kontinentin evropian.

Kurti vlerësoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit të NATO-s në rajon, duke theksuar se prania dhe përkushtimi i aleancës mbeten kyçe përballë rreziqeve të sigurisë dhe ndikimit të faktorëve të jashtëm në Ballkanin Perëndimor.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian ka mbledhur në Dublin liderë nga e gjithë Evropa për të diskutuar sfidat politike, ekonomike dhe të sigurisë me të cilat përballet kontinenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *