Gjermania mbështet qëndrimin e BE-së për ndryshimet në Ligjin për Specialen
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dalë në mbështetje të qëndrimit të Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke u pajtuar plotësisht me shqetësimet e shprehura nga BE-ja.
Përmes një reagimi të shkurtër, Ambasada gjermane ka bërë të ditur se qëndron në të njëjtën linjë me deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila kishte paralajmëruar për pasojat e mundshme të ndryshimeve ligjore.
“Ne pajtohemi plotësisht me këtë deklaratë të BE-së”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Gjermanisë.
BE-ja kishte shprehur shqetësim për mundësinë e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit.
Në deklaratën e saj, BE-ja kishte veçuar veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Po ashtu, Brukseli kishte ngritur pikëpyetje për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara, duke kërkuar që para çdo miratimi të mundshëm të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Mbështetja e Gjermanisë vjen në vazhdën e reagimeve ndërkombëtare kundër procedimit të këtyre ndryshimeve pa konsultime paraprake me partnerët përkatës./Telegrafi.
