Paralajmërohen reshje intensive në disa qarqe të Shqipërisë, rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dheu
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në Shqipëri ka paralajmëruar për reshje mesatare deri në shumë intensive në disa qarqe të vendit, gjatë ditës së sotme dhe asaj të nesërme.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, priten në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Ndërkaq, për 13 nëntor parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Agjencia ka paralajmëruar se si pasojë e reshjeve mund të ketë grumbullime të përkohshme të ujit në disa zona urbane, ndërsa në zonat malore ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Në këtë drejtim, AKMC u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të monitorojnë zonat me rrezik dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje emergjente.
Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut, si dhe të përcjellin njoftimet zyrtare.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se po vazhdon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse./Telegrafi/
