U tha se iu tërhoq vërejtja pas “thirrjes për Arlinda Zekajn” – Festivali i RTK-së vjen me deklaratë zyrtare pas akuzave të këngëtares Olimpia
Ekipi i Festivalit të Këngës në RTK – “Akordet e Kosovës” ka sqaruar se diskutimet lidhur me paraqitjen e këngëtares Olimpia Smajlaj kanë të bëjnë me zbatimin e formatit të përbashkët të konkurrimit dhe jo me përmbajtjen e mesazhit të saj.
Sipas ekipit organizues, artistes nuk i është mohuar e drejta për të shprehur qëndrimin e saj, ndërsa kërkesa e produksionit ka qenë respektimi i strukturës së njëjtë të prezantimit për të gjithë garuesit.
Që nga edicioni i parë, në vitin 2023, Festivali zbaton të njëjtat rregulla për të gjithë pjesëmarrësit garues. Kjo vlen për strukturën e prezantimit të këngëve, gjuhën grafike, trajtimin skenik dhe televiziv, si dhe për mënyrën e përmbylljes së performancave. Asnjë garues nuk trajtohet me standarde të veçanta apo me përjashtime nga formati i përcaktuar.
Drejtuesit theksojnë se këto rregulla janë pjesë e konceptit të Festivalit dhe nuk janë vendosur apo zbatuar si masë ndaj një artisteje të caktuar.
Ndërkohë, mesazhet për paqen, respektin, dinjitetin njerëzor dhe kundërshtimin e dhunës kanë qenë pjesë e programit artistik të Festivalit gjatë të tri netëve.
Nata e parë u përmbyll me performancën e këngës “Heal the World”, e shoqëruar me një mesazh për paqen, dashurinë dhe përgjegjësinë e përbashkët për një shoqëri më të mirë. Ndërsa në fjalën përmbyllëse, prezantuesit e Festivalit “Akordet e Kosovës” pëmrbyllën mbrëmjen me mesazhin se respektimi i dinjitetit dhe i së drejtës së secilit për të jetuar pa frikë fillon në familje dhe është përgjegjësi e gjithë shoqërisë.
Një tjetër moment i programit ishte ndarja e Çmimit për “Arritje Jetësore” për kompozitoren Pranvera Badivuku, natën e parë të festivalit. Përmes mesazhit të aktores Rebeka Qena u theksua rëndësia e njohjes, vlerësimit të kontributit të grave, si dhe e arritjeve të tyre në shoqëri.
Në natën e dedikuar fëmijëve, kënga “E duam lumturinë” solli mesazhin për dashurinë, pafajësinë e fëmijërisë dhe shpresën për një botë më të mirë.
Sipas ekipit organizues, këto përmbajtje kanë qenë pjesë e konceptit artistik të Festivalit dhe janë planifikuar si pjesë përbërëse e programit të tij.
Ekipi i Festivalit vlerëson se e drejta për të shprehur një mesazh dhe respektimi i rregullave të përbashkëta të një gare janë dy çështje që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Festivali është hapësirë e shprehjes artistike, por edhe një garë që kërkon kushte dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.
“Akordet e Kosovës” do të vazhdojë të mbështetet në parimet e barazisë, transparencës dhe respektimit të standardeve artistike e produksionale për të gjithë garuesit. /RTK/
