Në Afganistan, grave u ndalohet të studiojnë, të trajtohen nga mjeku, të largohen nga burri i dhunshëm – u mbetet vetëm të nënshtrohen
Të jesh grua në Afganistan është mallkim. Sepse regjimi i talibanëve nuk i trajton gratë si njerëz. Ky regjim i referohet fesë islame, e keqpërdorë atë brutalisht për të shtypur gruan, për t’ia bërë asaj jetën ferr.
Lajmi më i ri nga perandoria e territ është kjo: mjekëve afganë u ndalohet të trajtojnë gratë. Kështu raporton gazeta britanike «The Guardian». Ndonëse nuk është shpallur publikisht ndonjë kufizim që ua ndalon mjekëve të trajtojnë gratë, raportimet mediatike dhe intervistat me gra e mjekë, të zhvilluara nga «The Guardian» dhe «Zan Times», një publikum për të drejtat e grave afgane, tregojnë se një ndalim i tillë duket se po zbatohet në mbarë vendin.
Sipas këtyre burimeve, mjekët në disa zona të vendit kanë marrë urdhra nga talibanët që të mos trajtojnë paciente. Mjekët i thanë «The Guardian» se nuk u lejohet t’i ekzaminojnë pacientet apo t’u ofrojnë kujdes mjekësor urgjent. Kjo mund të bëhet vetëm në kushte të caktuara, për shembull në praninë e kujdestarit të pacientes, të quajtur «mahram», ose nëse disa ndërhyrje kryhen nga infermieret.
Që prej dhjetorit 2024, grave nuk u lejohet të studiojnë mjekësi në universitete. Po ashtu që nga atëherë, mjekëve në spitale u ndalohet të punësojnë gra.
Dentistët u kanë treguar gazetave se forcat e sigurisë së talibanëve e zbatojnë këtë urdhër përmes bastisjeve dhe paralajmërimeve ndaj dentistëve se do të burgosen nëse në ordinancat e tyre gjenden paciente.
Situata thuhet se është veçanërisht absurde në provincën Balkh, në veri të Afganistanit: sipas «The Guardian», mjekëve atje u ndalohet t’u drejtohen pacienteve me emrat e tyre të vërtetë. Zyrtarët thuhet se i kanë urdhëruar spitalet, ordinancat private dhe klinikat që, në vend të emrave të grave, të përdorin fjalën «Bibi». Kjo përdoret si një formë respektuese për t’iu drejtuar grave të moshuara. Edhe në recetat mjekësore thuhet se nuk shënohet emri i gruas, por vetëm «Bibi».
Në fillim të vitit Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) theksoi se kujdesi i pamjaftueshëm shëndetësor për gratë në Afganistan ishte «krime kundër njerëzimit». Atyre u mohohen shërbimet bazë shëndetësore. Në këtë përfundim arriti një raport i Richard Bennettit, raportuesit të posaçëm të OKB-së për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend. Ai foli për një «sistem të institucionalizuar të diskriminimit gjinor». Mënyra se si grave dhe vajzave u mohohet e drejta për të vendosur për trupin, shëndetin dhe të ardhmen e tyre, si dhe u mohohen shërbimet bazë, përbën «një tjetër dëshmi se talebanët po kryejnë krime kundër njerëzimit», tha Bennett, përcjell Telegrafi.
Përgjegjësit duhet të japin llogari, përfshirë edhe përmes përcaktimit të aparteidit gjinor si vepër penale, një kategori që ende duhet të përkufizohet juridikisht. Raportuesi i posaçëm u bëri thirrje sidomos shteteve islamike të mbështesin ndjekjen penale. Bennett shprehu alarm për ndalimin e arsimimit mjekësor të grave, të vendosur në dhjetor 2024. Sipas tij, ky ndalim do të ketë pasoja afatgjata për sektorin shëndetësor. Nëse mbetet në fuqi, ai do të çojë në femicid, paralajmëroi Bennett.
Në Afganistan jetojnë 22 milionë gra dhe vajza. Për gratë e martuara, një dekret i ri ka pasoja veçanërisht të rënda: që prej majit 2026, për to është pothuajse e pamundur të largohen nga bashkëshorti, edhe kur ai është i dhunshëm, sepse e drejta për divorc është e njëanshme. Burri mund ta zgjidhë martesën në mënyrë të njëanshme. Gruaja jo.
Ky qëndrim ndaj grave, i justifikuar me fenë, është sanksionuar në ligj që prej janarit: dekreti numër 12 e dënon dhunën ndaj grave brenda martesës vetëm kur ajo shkakton «lëndime të rënda dhe të dukshme». Edhe në këto raste, autorit i kanosen më së shumti 15 ditë burg. Për krahasim, të dënuarit për organizimin e ndeshjeve mes kafshëve në Afganistan marrin deri në pesë muaj burg. Përballë dhunës psikologjike dhe seksuale, një grua nuk mund të sigurojë mbrojtje në gjykatë, shkruan OKB-ja në një raport.
Ndërsa burrave nën regjimin e talibanëve u lejohet të kenë deri në katër bashkëshorte njëkohësisht, një gruaje të akuzuar për «tradhti bashkëshortore» ose «marrëdhënie seksuale të paligjshme» i kanoset vrasja publike me gurë. Sipas OKB-së, që nga marrja e pushtetit, islamistët kanë nxjerrë plot 470 dekrete, të paktën 70 prej të cilave drejtohen kundër të drejtave të grave dhe vajzave.
Talibanët i kanë përjashtuar gratë në masë të madhe nga jeta publike: ato mund të dalin jashtë vetëm të mbuluara plotësisht dhe, në shumë prej lëvizjeve të tyre, duhet të shoqërohen nga një burrë i afërm, një mahram. Sipas një ankete të fundit të OKB-së, gjysma e grave dalin nga shtëpia jo më shumë se dy herë në muaj. Gjithashtu, është shfuqizuar barazia e burrit dhe e gruas para ligjit. Vajzave u ndalohet shkollimi nga klasa e shtatë e tutje. /Telegrafi/
