TË FUNDIT

Shqiptari dyshohet se vrau bashkëshorten në Austri, besonte se ajo merrej me magji të zezë

Një shtetas 47-vjeçar i Kosovës dyshohet për vrasjen e bashkëshortes së tij 38-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, në Austri, ndërsa një 45-vjeçar tjetër nga Kosova akuzohet se ia kishte siguruar armën e krimit, duke e ditur se ai kishte ndërmend ta vriste gruan.

Sipas raportimit të mediumit austriak Heute , rasti përmban edhe një element tjetër që lidhet me gjendjen psikike të të dyshuarit kryesor. Ai dyshohet se besonte se bashkëshortja e tij ishte shtrigë dhe merrej me magji të zezë, ndërsa fantazonte vazhdimisht për demonë dhe forca të errëta.

Një ekspertizë plotësuese psikiatrike e siguruar së fundmi e ka vlerësuar 47-vjeçarin si psikotik dhe ka konstatuar se ai nuk konsiderohet penalisht përgjegjës, transmeton Telegrafi.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 prill, të dielën e Pashkëve, në Sooß të Austrisë së Poshtme. Sipas dyshimeve, 47-vjeçari, pasi ishte ndarë nga bashkëshortja, i kishte dorëzuar asaj dhurata të Pashkëve. Më pas, ai dyshohet se kishte qëlluar tri herë drejt saj me një pistoletë të tipit Beretta.

Pas të shtënave, ai thuhet se e kishte goditur rreth 40 herë në pjesën e sipërme të trupit me një kaçavidë, derisa 38-vjeçarja kishte humbur ndjenjat. Më pas, ai e kishte tërhequr trupin e saj në kopsht dhe e kishte fshehur nën mbeturinat e kopshtit, përcjell Telegrafi.

Raporti psikiatrik: I dyshuari besonte se gruaja ishte shtrigë

Sipas raportimit, edhe gjatë qëndrimit në burg, 47-vjeçari vazhdimisht fantazonte për magjinë e zezë dhe demonët e errët.

Në një raport plotësues psikiatrik, të siguruar së fundmi, ai është vlerësuar si person psikotik dhe që nuk konsiderohet penalisht përgjegjës.

Ai dyshohet se besonte se bashkëshortja e tij ishte shtrigë, ndërsa zyrtarët e burgut i përshkruante si “njerëz shpellash që përgatiteshin për ferr”. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *