Komunat kërkojnë kompensimin e dëmeve në bujqësi, thonë se nuk ka pagesa që nga viti 2023
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore zgjidhje konkrete për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore, duke theksuar se që nga viti 2023 nuk është realizuar asnjë kompensim për dëmet e evidentuara.
Kjo çështje është diskutuar në takimin e Kolegjiumit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të organizuar nga AKK-ja në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi të Komunës së Istogut.
Sipas njoftimit të AKK-së, përfaqësuesit e komunave kanë shprehur shqetësimin se kërkesat për kompensimin e dëmeve, të paraqitura nga komunat, ende nuk janë shqyrtuar përfundimisht.
Ata kanë kërkuar sqarime lidhur me punën dhe funksionalitetin e Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve, si dhe për hapat që do të ndërmerren për trajtimin e kërkesave të mbetura.
Si shembull i përmasave të kësaj problematike është përmendur Komuna e Istogut, ku dëmet në bujqësi janë vlerësuar deri në tre milionë euro.
Përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar që çështja të trajtohet në nivel qendror, veçanërisht nga Zyra e Kryeministrit, si dhe të organizohen konsultime të drejtpërdrejta për përcaktimin e vlerës së përgjithshme të dëmeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për kompensimin e tyre.
Po ashtu, është propozuar që kjo problematikë të adresohet edhe në komisionin parlamentar përgjegjës.
Gjatë takimit janë diskutuar edhe dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, për të cilat komunat kanë kërkuar shqyrtimin e mekanizmave të kompensimit.
Në mesin e çështjeve të tjera të ngritura ishin edhe mungesa e thirrjeve për grante dhe projekte të zhvillimit rural, mbështetja për rrugët fushore, si dhe shqetësimet e prodhuesve bujqësorë lidhur me trajtimin tatimor dhe eksportin e produkteve.
Në përfundim, AKK-ja ka bërë të ditur se do t'i adresojë këto shqetësime përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrisë përkatëse, Zyrës së Kryeministrit dhe Komisionit Parlamentar përgjegjës.
Gjithashtu, do të kërkojë një takim të përbashkët me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e komunave, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave dhe përcaktimit të hapave konkretë për kompensimin e dëmeve në bujqësi. / Telegrafi /
