TË FUNDIT

Dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë

Mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë janë bllokuar nga Dogana e Tiranës, pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi në etiketimin e tyre.

Sipas njoftimit të Administratës Doganore , bëhet fjalë për një ngarkesë prej 156 mijë njësish produktesh ushqimore dhe lodrash të ambalazhuara, të cilave u mungonte informacioni i detyrueshëm mbi datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit.

Parregullsitë u evidentuan gjatë kontrollit fizik të mallrave, të kryer në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, nga Dega Doganore Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Mungesa e këtij informacioni përbën shkelje të kërkesave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit.

Për këtë arsye, autoritetet doganore kanë vendosur bllokimin e të gjithë ngarkesës dhe moslejimin e çlirimit të mallrave deri në përfundimin e verifikimeve dhe procedurave ligjore.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar angazhimin maksimal të strukturave përgjegjëse për verifikimin e rastit dhe ndjekjen e mëtejshme ligjore.

Administrata Doganore deklaron se kontrollet do të vijojnë me qëllim parandalimin e hedhjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet dhe kërkesat ligjore, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *