Studim për shqiptarët në Kanada, synohet të dokumentohen përvojat e emigrimit, integrimit dhe përkatësisë
Një studim gjithëpërfshirës për komunitetin shqiptar në Kanada synon të hedhë më shumë dritë mbi përvojat e emigrimit, integrimin profesional dhe shoqëror, si dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në vendin e tyre të ri.
Nisma është ndërmarrë nga organizata “ Albanian Canadian Development Alternative ” (ACDA), e cila ka hapur një sondazh me temën “Mapping the Professional Landscape of Albanian Immigrants in Canada”, përmes të cilit synon të krijojë një pasqyrë më të plotë të pozitës së shqiptarëve në shoqërinë kanadeze.
Sipas organizatës, Kanadaja është bërë shtëpi për rreth 45 mijë shqiptarë, ndërsa afërsisht dy të tretat e tyre kanë emigruar gjatë tri dekadave të fundit. Një pjesë e konsiderueshme e këtij komuniteti ka ardhur me përgatitje të mesme dhe të larta profesionale, por deri më tani ka pasur pak të dhëna gjithëpërfshirëse për mënyrën se si janë integruar në tregun kanadez të punës dhe në jetën shoqërore.
Përmes këtij hulumtimi synohet të evidentohen sfidat profesionale, arritjet, përvojat e punësimit dhe pengesat që emigrantët shqiptarë mund të hasin gjatë përshtatjes me sistemin e ri. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe njohjes së kualifikimeve, shfrytëzimit të përvojës profesionale dhe mundësive për avancim në karrierë.
Studimi synon gjithashtu të kuptojë më mirë ndjenjën e përkatësisë së shqiptarëve në Kanada, lidhjet me komunitetin dhe mënyrën se si emigrantët ruajnë identitetin e tyre kulturor, ndërkohë që ndërtojnë jetën në shoqërinë kanadeze.
Sipas ACDA-së, përgjigjet e pjesëmarrësve do të analizohen në mënyrë kolektive dhe do të përdoren vetëm për qëllime të studimit, ndërsa informacionet individuale do të mbahen konfidenciale. Pas përfundimit të hulumtimit, organizata ka paralajmëruar publikimin e një përmbledhjeje me gjetjet kryesore.
Nisma konsiderohet e rëndësishme për dokumentimin e përvojave të diasporës shqiptare në Kanada dhe për identifikimin e nevojave të saj, në mënyrë që të krijohen programe dhe iniciativa më të përshtatshme për mbështetjen e integrimit të emigrantëve dhe gjeneratave të reja.
Përmes këtij sondazhi, ACDA synon të krijojë një bazë më të mirë informacioni jo vetëm për shqiptarët që tashmë jetojnë në Kanada, por edhe për ata që planifikojnë të emigrojnë në këtë vend. /Telegrafi/
