Ambasadorja zvicerane: Zvicra mbetet partnere e Kosovës në forcimin e sistemit shëndetësor
Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, ka riafirmuar përkushtimin e vendit të saj për të mbështetur zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Gjatë fjalës hapëse në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, të organizuar nën moton “Investojmë në cilësi – Ndërtojmë besim”, ambasadorja theksoi se Zvicra ka një angazhim të vazhdueshëm në mbështetjen e sektorit shëndetësor të Kosovës.
Ajo bëri të ditur se mbështetja zvicerane përfshin disa fusha kyçe, nga forcimi i kujdesit shëndetësor parësor dhe siguria e pacientëve, deri te avancimi i standardeve klinike dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale të punonjësve shëndetësorë, shkruan Telegrafi.
Në këtë drejtim, ambasadorja përmendi programet e mbështetura nga Zvicra, përfshirë projektin e Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH) dhe atë të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (IHS), të cilat synojnë përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Sipas saj, Zvicra mbetet partnere e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të përgjegjshëm, më cilësor dhe të përqendruar te nevojat e pacientëve.
Në përfundim të fjalës së saj, ambasadorja uroi që konferenca të shërbejë si hapësirë për diskutime produktive, shkëmbim përvojash dhe ide konkrete për avancimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë. /Telegrafi/
