TË FUNDIT

Zvicër, propozohet paga minimale prej 5 mijë frangash për punëtorët me shkollim profesional

Një propozim i ri në Zvicër synon të garantojë pagë minimale prej 5 mijë frangash në muaj për të gjithë punëtorët që kanë përfunduar shkollimin profesional.

Kërkesa është bërë nga kryetari i Sindikatës Zvicerane (SGB), Pierre-Yves Maillard, i cili synon ta realizojë këtë përmes një iniciative popullore.

Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick , Maillard ka argumentuar se shkollimi profesional duhet të shpërblehet më mirë dhe se pagat aktuale nuk po garantojnë më një standard të mjaftueshëm jetese për shumë punëtorë.

Sipas tij, rritja e kostos së jetesës ka bërë që pagat reale të personave me shkollim profesional të pësojnë rënie gjatë viteve të fundit.

Sipas një analize të Sindikatës Zvicerane, 28% e punëtorëve që kanë përfunduar një shkollim profesional fitojnë më pak se 5 mijë franga në muaj, ndërsa 15% marrin më pak se 4.500 franga.

Përllogaritja bazohet në një orar të plotë pune prej 40 orësh në javë dhe 13 paga vjetore.

Gratë janë veçanërisht të prekura nga pagat e ulëta, pasi 1 në 3 prej tyre, me shkollim profesional, fiton më pak se 5 mijë franga në muaj.

Sipas sindikatës, situata është më e theksuar në sektorë si shitja, parukeria, gastronomia dhe kujdesi për fëmijët, por edhe në disa profesione ku dominojnë burrat, si mekanikët e automjeteve dhe shoferët.

Të dhënat e sindikatës tregojnë gjithashtu se paga mesatare reale e punëtorëve me shkollim profesional ka rënë për 2.1% krahasuar me vitin 2016.

Ndërkohë, dallimi mes pagave të personave me shkollim profesional dhe atyre me diplomë universitare është zgjeruar.

Propozimi pritet të shqyrtohet në kongresin e Sindikatës Zvicerane në fund të kësaj jave.

Nëse merr miratimin, do të përgatitet projekti për iniciativën popullore, ndërsa mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë gjatë vitit 2027.

Megjithatë, propozimi ka hasur në kundërshtimin e përfaqësuesve të punëdhënësve, të cilët argumentojnë se një pagë minimale e garantuar nga shteti nuk është mënyra e duhur për të vlerësuar shkollimin profesional dhe mund të krijojë vështirësi për bizneset ./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *