Ish-trajneri i Real Madridit këshillon Endrickun të transferohet te Roma
Ish-trajneri i Real Madridit, Fabio Capello, ka këshilluar sulmuesin brazilian Endrick që në afatin kalimtar të janarit të transferohet te Roma, duke besuar se talenti i ri mund të ketë në futbollin italian ndikim të ngjashëm me atë të Nico Paz te Como.
Në një intervistë për gazetën italiane Gazzetta dello Sport, Capello ka mbështetur largimin e 20-vjeçarit nga Real Madridi, në mënyrë që të ketë më shumë hapësirë për lojë dhe të vazhdojë zhvillimin e karrierës.
“Endrick te Roma mund të bëjë atë që bëri Nico Paz te Como”, ka deklaruar Capello.
Ai ka vlerësuar talentin e brazilianit, duke theksuar se e njeh mirë mënyrën se si Real Madridi përzgjedh dhe zhvillon futbollistët e rinj.
“Ai është i ri dhe vjen nga Real Madridi; është një futbollist me shumë talent. E njoh akademinë e Madridit dhe mënyrën se si i përzgjedhin lojtarët”, ka shtuar ish-trajneri italian.
Capello ka marrë si shembull paraqitjet e Nico Pazit në Serie A, duke theksuar se ato kanë dëshmuar se një futbollist i ri që largohet nga Madridi mund të bëjë diferencën në futbollin italian.
“E kemi parë tashmë se si ai mund të bëjë diferencën në ligën tonë”, ka përfunduar Capello.
Endrick po kalon një periudhë me pak minuta në Real Madrid, ku këtë sezon ka regjistruar vetëm 144 minuta lojë në shtatë paraqitje.
Braziliani ishte shumë pranë transferimit te Roma gjatë verës, por në atë kohë trajneri Jose Mourinho kishte ndërhyrë personalisht për ta bindur që të qëndronte në “Santiago Bernabeu”.
Megjithatë, interesimi i klubit italian është rikthyer para afatit kalimtar të janarit, ndërsa Roma po e shqyrton sërish mundësinë e transferimit të tij./ Telegrafi /
