Zyrtarja shqiptare në institucionin e shtetësisë në Austri nën hetim, dyshohet se favorizoi bashkëkombësit në marrjen e pasaportave
Një zyrtare me origjinë shqiptare është vënë në qendër të një hetimi për korrupsion në institucionin e emigracionit dhe shtetësisë MA 35 në Vjenë të Austrisë, nën dyshimin se ka favorizuar bashkëkombësit e saj gjatë procedurave për marrjen e shtetësisë austriake.
Sipas gazetës austriake Kronen Zeitung , zyrtarja dyshohet se ka ndihmuar në përshpejtimin e procedurave për marrjen e lejeve të qëndrimit dhe shtetësisë, veçanërisht për persona me origjinë shqiptare.
Hetimet janë përqendruar edhe te dyshimet për ekzistencën e një rrjeti të brendshëm, ku procedurat administrative mund të jenë përshpejtuar kundrejt pagesave.
Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak të rritjes së numrit të personave me shtetësi të mëparshme shqiptare që kanë fituar shtetësinë austriake.
Sipas të dhënave të një raporti të brendshëm të siguruar nga gazeta, numri i tyre ishte 57 në vitin 2023, u rrit në 81 gjatë vitit 2024 dhe arriti në 105 në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 84 për qind brenda dy vjetësh.
Prokuroria Ekonomike dhe Kundër Korrupsionit në Austri ka konfirmuar se po zhvillon hetime ndaj zyrtares për dyshimin e pranimit të përfitimeve, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, një ish-punonjës i institucionit po hetohet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion. Ai ishte arrestuar gjatë hetimeve, por tashmë është liruar.
Zyrtarja shqiptare, e cila ishte eprorja e ish-punonjësit, është pezulluar nga detyra pas një kontrolli të ushtruar nga autoritetet në selinë e institucionit në Vjenë.
Hetuesit dyshojnë se gjatë procedurave mund të jenë manipuluar ose zhdukur dokumente për të përshpejtuar aplikimet apo për të shmangur vendimet negative.
Pas publikimit të skandalit, Partia e Lirisë (FPÖ) ka kërkuar rishikimin e të gjitha vendimeve për dhënien e shtetësisë dhe lejeve të qëndrimit që janë trajtuar nga punonjësit e përfshirë në hetim.
Deri më tani, bëhet fjalë për dyshime që janë objekt i hetimeve dhe jo për fajësi të vërtetuar. Për të gjithë personat e përfshirë vlen prezumimi i pafajësisë. /Telegrafi/
