POLITIKATË FUNDIT

Krimineli serb Zvonko Veselinoviq arratiset në Turqi mes valës së arrestimeve në Serbi, raportojnë mediat serbe

Biznesmeni kontrovers dhe figura e njohur e botës së krimit nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, është larguar sot drejt Turqisë, raportoi media hulumtuese serbe KRIK. Sipas raportimit, ai ka udhëtuar në orët e hershme të mëngjesit nga Sarajeva për në Stamboll, duke përdorur pasaportën serbe.

Largimi i Veselinoviqit ndodh në një periudhë kur në Serbi janë intensifikuar arrestimet e biznesmenëve dhe zyrtarëve që konsiderohen të afërt me regjimin e mëparshëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Sipas KRIK-ut, Veselinoviqi konsiderohet një nga njerëzit më të fuqishëm të rrjetit informal të ndikimit që ka vepruar gjatë viteve të fundit në Serbi.

Media serbe rikujton se në dokumente të mëparshme të policisë dhe shërbimeve të sigurisë, Veselinoviqi përshkruhet si një nga figurat kyçe të krimit të organizuar serb në Kosovë, me lidhje të ngushta me grupe kriminale shqiptare. Në këto dokumente ai lidhet me aktivitete të dyshuara si kontrabanda e drogës, armëve dhe derivateve të naftës, fajdeja dhe pastrimi i parave.

Veselinoviqi është përballur ndër vite me akuza të ndryshme penale në Serbi, përfshirë kontrabandë droge, vjedhje kamionësh dhe nxjerrje të paligjshme të rërës. Megjithatë, shumica e proceseve gjyqësore ndaj tij kanë përfunduar me aktgjykime lirues.

KRIK thekson gjithashtu se Veselinoviqi është përmendur nga autoritetet e Kosovës në kuadër të hetimeve për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018. Në këtë rast është përmendur edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Në vitin 2021, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Veselinoviqit për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm politik, ndërsa një vit më pas ai u sanksionua edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas medias serbe, pavarësisht këtyre akuzave dhe sanksioneve ndërkombëtare, Veselinoviqi ka ruajtur ndikim të konsiderueshëm në Serbi falë lidhjeve të tij politike. KRIK pretendon se ai ka qenë i afërt me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb, dhe se përmes këtyre lidhjeve ka përfituar kontrata shtetërore me vlerë miliona euro.

Raporti përfundon duke theksuar se Turqia është shndërruar vitet e fundit në një destinacion të njohur për figura të krimit të organizuar nga Ballkani, të cilat kërkojnë të shmangin presionin e autoriteteve në vendet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *