E panë në Beograd, e ndoqën në Shkup, e gjetën në Pllovdiv – Ekstremisti amerikan zbulohet nga “Bellingcat”
Një ekstremist i djathtë nga Shtetet e Bashkuara, që për një kohë të gjatë është fshehur nga drejtësia në vendin e tij dhe pasi e kanë njohur në Beograd, arratiset dhe ka qenë i padisponueshëm për gjatë kohë, ndodhet në qytetin e dytë më të madh në Bullgari, Pllovdiv, zbuloi organizata hulumtuese gazetareske “Bellingcat“, raporton Portalb.mk.
Rob Rando po “rri varur” nëpër gjykata – në fakt, vetëm avokatët e tij janë paraqitur nëpër gjykata – pasi u akuzua dhe u dënua për dhunë në protestat në Kaliforni në vitin 2017, dhe që atëherë, sipas Bellingcat, ai kryesisht është fshehur në Ballkan. Në Shtetet e Bashkuara ai mund të dënohet me burg deri në 10 vjet.
Themeluesi i lëvizjes “Ngrihu” (Rise Above Movement – RAM), Rando, shpesh fotografohej me markën e tij të veshjeve e dedikuar për të djathtët, duke pozuar si një “djalë i fortë”, por nuk i ka kushtuar shumë kujdes asaj që ka paraqitur në foto, si dhe ka lënë të dhëna për vendndodhjen gjeografike ku e ka bërë foton, kështu që gazetari Michael Colborn nga “Bellingcat” e ka lokalizuar në Beograd. Pasi është zbuluar, Rando largohet nga Beogradi deri sa, përmes një hetimi të vazhdueshëm të postimeve të Randos në Telegram, Colborn zbulon se ai ndodhet në Pllovdiv.
Historia nis të zbardhet më 31 tetor të këtij viti, kur gazetari Colborn nuk ka mundur të shohë asnjë grafit apo shenja të tjera në fotot, sfondi i të cilave ka qenë i turbullt, por ka parë vetëm një shenjë me bojë të kuqe në murin pas Randos.
10 minuta më pas, Colborn, duke u bazuar në njohuritë e mëparshme dhe duke e përdorur si ndihmë aplikacionin Google Street View, ka zbuluar se fotografia ishte bërë në një stacion autobusi në pjesën veriore të Pllovdivit.
Përndryshe, 32-vjeçari Rando në vitin 2018 u akuzua për incidentet e dhunshme në tubimet e një viti më parë në Kaliforni. Në qershor të vitit 2019, padia kundër tij u hodh poshtë nga një gjykatës i Kalifornisë me arsyetimin se Ligji kundër trazirave ishte jokushtetues. Pas kësaj, Rando largohet nga Shtetet e Bashkuara në drejtim të Evropës.
Në nëntor të vitit 2020, Bellingcat vërtetoi se Rando ndodhej në Beograd, por vetëm pas tre muajsh, Serbia e ka dëbuar atë. Megjithatë, në nëntor të vitit 2021, ekstremisti i krahut të djathtë nga SHBA përsëri ka qenë në Serbi, ndërsa në atë kohë edhe Gjykata Federale e Apelit e SHBA-së ka anuluar heqjen e akuzave kundër Randos. Në janar të këtij viti, Gjykata e Lartë e ka refuzuar ankesën e tij – në fakt, ankesën e avokatëve të tij, dhe gjykimi në gjykatën federale pritet të fillojë në muaji prill të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, kërkimi i “Bellingcat” për Randon ka vazhduar dhe disa javë pas postimit të fotove dhe videove nga vende në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi nga një mik i ngushtë i Randos, më 16 tetor të këtij viti, u identifikua fotografia e parë e bërë në Pllovdiv. Pas disa javësh dhe pas analizave të fotove të reja të publikuara, “Bellingcat” arriti të konfirmojë vendndodhjen e tij në Pllovdiv.
Gazetari iu drejtua Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë për të pyetur nëse ata janë në dijeni që Rando ndodhet në Bullgari dhe nëse po punojnë me autoritetet amerikane për ta gjurmuar, arrestuar dhe ekstraduar. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme e referoi atë në Policinë Kombëtare, nga ku iu përgjigjën se për shkak të hetimeve (ndoshta në vazhdim) nuk mund të komentojnë.
M. Z. Send an email 21:55, 01-12-2022Original Article