VLEN: Për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ne po e ndryshojmë këtë
Afan Elezi nga VLEN sot në një konferencë për media tha se pas 35 vitesh pritje nga pavarësimi i shtetit dhe 58 vite pritje nga Ligji i parë për provimin e jurisprudencës, studentët shqiptarë për herë të parë do të kenë mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe.
Ai tha se ky është një vendim me rëndësi të veçantë për gjeneratat e juristëve shqiptarë, por edhe një dëshmi se problemet trashëguara dhe të lëna pezull për dekada mund të marrin zgjidhje kur ka vullnet dhe përgjegjësi politike.
"Për vite me radhë, studentët shqiptarë i kanë kryer studimet në gjuhën shqipe, por kur vinte momenti i provimit të jurisprudencës, detyroheshin ta jepnin atë në maqedonisht. Kjo ishte një pengesë që breza të tërë e kanë përjetuar, ndërsa pushtetet e kaluara nuk arritën ta zgjidhnin".
"Sot, publikisht dua ta pyes edhe protagonistin kryesor të opozitës: Arbër Ademi, para se të flisni për të drejtat e studentëve, a mund të na tregoni në çfarë gjuhe e keni dhënë ju provimin e jurisprudencës në vitin 2016? Nëse edhe ju, si jurist shqiptar, jeni detyruar ta jepni provimin në maqedonisht, atëherë me çfarë të drejte sot dilni të flisni për patriotizëm dhe të mbani leksione për gjuhën shqipe, kur gjatë pushtetit tuaj 8 herë keni udhëhequr me ministrinë e drejtësisë?".
"Nuk mund të kërkosh besimin e shqiptarëve duke u paraqitur si mbrojtës i të drejtave të tyre, ndërkohë që ke pasur mundësi institucionale për t'i avancuar dhe nuk e ke bërë. Për shqiptarët nuk mjaftojnë deklaratat dhe fjalimet. Ata presin që të drejtat e tyre të zbatohen në vendime konkrete", tha Elezi.
Ai shtoi se ata nuk kanë ardhur në pushtet për t'i trashëguar arsyetimet e pushteteve të kaluara, por për të zgjidhur problemet që ato i lanë pas.
"Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe është një prej tyre. Dhe ky nuk do të jetë i fundit. Urime studentëve shqiptarë! Kjo e drejtë u takon dhe tashmë po merr rrugën e realizimit", tha Elezi./Telegrafi/
