Të dërguarit amerikanë nesër në Moskë për takim me Putinin
I dërguari i posaçëm amerikan, Jared Kushner, ka bërë të ditur se ai dhe Steve Witkoff do të udhëtojnë nesër drejt Moskës, ku do të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin.
Kushner deklaroi në një konferencë për media në Abu Dhabi se qëllimi i takimit është të shqyrtojnë çështjet e diskutuara gjatë negociatave dhe të përpiqen të arrijnë përparim të mëtejshëm.
“Do të shqyrtojmë atë që u diskutua sot dhe do të përpiqemi të bëjmë më shumë përparim në disa prej çështjeve”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Sipas Kushnerit, Washingtoni sheh “disa mundësi dhe hapësira për përparim” në procesin e negociatave.
Pas takimit në Moskë, Kushner dhe Witkoff planifikojnë të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar më tej disa nga idetë e trajtuara gjatë bisedimeve në Abu Dhabi.
I pyetur nëse ekzistojnë plane për një takim të drejtpërdrejtë mes Putinit dhe Zelenskyt, Kushner tha se pala ruse dëshiron të shohë më shumë përparim në negociata përpara se të ndodhë një takim i tillë.
“Është e qartë se mes liderëve nuk ka shumë besim apo afërsi”, shtoi ai. /Telegrafi/
