TË FUNDIT

PSG-ja synon transferimin e Kobelit, nis kontaktet me portierin e Dortmundit

PSG-ja ka nisur kontaktet për transferimin e portierit të Borussia Dortmundit, Gregor Kobel, pasi drejtuesit e klubit francez nuk janë plotësisht të kënaqur me paraqitjet e Matvey Safonov.

Paris Saint-Germain po shqyrton mundësinë e transferimit të portierit zviceran, Gregor Kobel, 28-vjeçar, në një përpjekje për të rritur konkurrencën në repartin e portës.

Sipas raportimeve të gazetës gjermane Sport Bild , klubi parisien ka kontaktuar tashmë përfaqësuesit e portierit dhe ka kërkuar vazhdimisht informacione për situatën e tij.

Trajneri Luis Enrique vazhdon ta mbështesë publikisht Safonovin, por paraqitjet e tij në ndeshjet e rëndësishme evropiane kanë krijuar pasiguri te drejtuesit e klubit.

Pavarësisht vlerësimit që trajneri spanjoll ka për aftësitë e rusit në lojën me këmbë, në Paris mendojnë se skuadra ka nevojë për një portier të nivelit të lartë, i cili do të konkurronte drejtpërdrejt me Safonovin dhe Lucas Chevalier.

Në anën tjetër, Kobel ka kontratë me Borussia Dortmundin deri në qershor të vitit 2028 dhe aktualisht është në negociata për vazhdimin e saj.

Portieri zviceran iu bashkua klubit gjerman në vitin 2021, nga Stuttgart, për shumën prej 15 milionë eurosh, ndërsa që atëherë është shndërruar në një prej portierëve më të spikatur të Bundesligës.

Vlera e tij aktuale në tregun e transferimeve vlerësohet rreth 40 milionë euro, çka e bën një objektiv jo të lehtë për t'u realizuar nga kampionët francezë.

Një takim i rëndësishëm pritet të zhvillohet së shpejti mes drejtuesve të Dortmundit dhe përfaqësuesve të portierit, me synimin për të arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës.

Fillimisht, dëshira e Kobelit është të vazhdojë qëndrimin në Gjermani, por interesimi i PSG-së mund të ndikojë në planet e tij.

Klubi francez ka fuqinë financiare dhe ambiciet sportive për ta bindur reprezentuesin e Zvicrës që të ndryshojë mendje.

Në Paris duan të sigurojnë një portier të nivelit të lartë, në mënyrë që porta të mos shndërrohet në një pikë të dobët të skuadrës në garat e ardhshme. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *