Zvicra ia refuzoi shtetësinë një gruaje turke, kantoni kritikon komunën për arsyetimin
Qeveria kantonale e Aargaut ka kritikuar komunën e Neuenhofit për refuzimin e kërkesës për natyralizim të një gruaje turke dhe djalit të saj, duke vlerësuar se disa nga arsyet e përdorura nga komisioni ishin të pabazuara.
Rasti ka të bëjë me një intervistë të zhvilluar në dhjetor të vitit 2025, gjatë së cilës gruaja, e cila kishte jetuar në Neuenhof për 13 vjet, u pyet për njohuritë e saj mbi Zvicrën, kantonin e Aargaut dhe komunën, raporton Watson .
Gruaja e kishte kaluar me vështirësi testin e shtetësisë, ndërsa gjatë intervistës komisioni kishte vlerësuar se njohuritë e saj në gjuhën gjermane dhe njohja me jetën në Zvicër e komunitetin lokal nuk ishin të mjaftueshme. Për këtë arsye, këshilli bashkiak e kishte refuzuar kërkesën.
Megjithatë, gruaja e kishte kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se ankthi i rëndë dhe çrregullimi i panikut i kishin shkaktuar bllokime mendore gjatë intervistës.
Qeveria kantonale vendosi në favor të saj dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në këshillin bashkiak.
Pyetja për skijimin u bë pjesë e rastit
Një nga momentet që u veçua në vendimin e qeverisë kantonale ishte pyetja se cili është një sport tipik zviceran.
Gruaja ishte përgjigjur me skijimin, por komisioni nuk e kishte konsideruar këtë përgjigje të saktë, duke argumentuar se edhe austriakët bëjnë ski.
Kur ishte pyetur përsëri, ajo kishte përmendur futbollin, ndërsa djali i saj tenisin. Komisioni kishte pritur si përgjigje mundjen zvicerane.
Qeveria kantonale e bëri të qartë se skijimi është gjithashtu një përgjigje e saktë për pyetjen se çfarë është një sport zviceran.
Gjatë intervistës, gruaja ishte pyetur edhe për parimin me tri shtylla të sistemit zviceran të pensioneve, sistemin arsimor dhe vitin e themelimit të kantonit të Aargaut, transmeton Telegrafi.
Ajo nuk kishte arritur t'u përgjigjej saktë këtyre pyetjeve. Kur ishte pyetur se çfarë duhej të tregonte në spital, ishte përgjigjur “sigurimi shëndetësor”, ndërsa në pyetjen për kështjellat e Aargaut kishte përmendur lumenjtë.
Djali i saj, i cili ishte gjithashtu pjesë e aplikimit, ishte përgjigjur saktë në shumë prej pyetjeve.
Kantoni kritikon mënyrën e zhvillimit të intervistës
Qeveria kantonale kritikoi edhe mënyrën se si ishte zhvilluar intervista. Sipas saj, komisioni kishte parashtruar një numër të madh pyetjesh dhe ishte mbështetur në një listë të përgatitur, në vend që të zhvillonte një bisedë siç ishte paraparë.
Gjithashtu, komisionit nuk i ishte lejuar të parashtronte pyetje për të drejtën qytetare federale dhe kantonale, pasi këto njohuri ishin testuar tashmë përmes provimit të kërkuar.
Qeveria kantonale vlerësoi se komuna duhej të kishte shqyrtuar më me kujdes edhe pretendimet lidhur me njohuritë e pamjaftueshme të gjermanishtes, pasi gruaja kishte paraqitur dëshmi të vlefshme për aftësitë e saj gjuhësore.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë intervistës ishte vendbanimi i familjes. Gruaja kishte shpjeguar se gjatë javës qëndronte në Neuenhof, në mënyrë që djali të përfundonte vitin shkollor aty, ndërsa fundjavat dhe pushimet i kalonin në banesën e re në një komunë tjetër.
Sipas qeverisë kantonale, një vendbanim i dytë lejohet dhe nuk përbën pengesë për natyralizimin. Po ashtu, lejohet edhe largimi nga komuna menjëherë pas marrjes së shtetësisë, përcjell Telegrafi.
Një në katër kërkesa për natyralizim në Neuenhof dështoi
Sipas një ankete të publikuar nga gazeta zvicerane që raportoi rastin, komuna e Neuenhofit ka një nga normat më të larta të kërkesave për natyralizim të refuzuara ose të tërhequra.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, afërsisht një në katër aplikime në këtë komunë ka dështuar.
Kryetari i komunës, Tobias Baumgartner, ka deklaruar se komisioni i natyralizimit shqyrton secilën kërkesë individualisht, në përputhje me mandatin e tij ligjor.
Ai ka bërë të ditur se komisioni përdor një udhëzues me pyetje të përgatitura për të siguruar zhvillimin e strukturuar të intervistave dhe se të njëjtat udhëzime zbatohen për të gjithë kandidatët.
Baumgartner nuk ka komentuar nëse vlerësimi i komisionit për përgjigjen lidhur me skijimin ishte tepër i rreptë. Ai ka thënë se vendimet e qeverisë kantonale shqyrtohen dhe se proceset e brendshme përshtaten kur është e nevojshme.
Vendimi i qeverisë kantonale është ligjërisht i detyrueshëm dhe komuna e ka pranuar atë. Megjithatë, Baumgartner nuk ka dhënë detaje se si do të vazhdojë rasti i gruas turke dhe djalit të saj.
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe një çështje të ngjashme të vitit 2017, kur Funda Yilmazit në komunën e Buchsit fillimisht iu refuzua shtetësia zvicerane, pasi komisioni nuk i kishte konsideruar të sakta disa nga përgjigjet e saj, përfshirë atë për një sport tipik zviceran. Më vonë, asaj iu dha shtetësia. /Telegrafi/
