Nis seanca në Apel për vrasjen e Valmir Breznicës, Arsim Syla përballet me shqyrtimin e ankesave
Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit ndaj Arsim Sylës, i dënuar me 22 vjet burgim për vrasjen e 34-vjeçarit Valmir Breznica në një supermarket në Podujevë. Rrahim Ajeti, avokati i familjes së viktimës, ka kërkuar 35 vite burgim ose burgim të përjetshëm.
Seanca e sotme vjen pas shtyrjes së shqyrtimit të 28 tetorit, për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor të palës së dëmtuar, e cila në atë kohë ende nuk kishte angazhuar avokat të ri.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Skender Qoqaj, kishte bërë të ditur se avokatit që përfaqësonte më herët palën e dëmtuar i ishte marrë licenca nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).
Gjykata kishte njoftuar gjithashtu se ankesa e paraqitur në emër të palës së dëmtuar ishte hedhur poshtë si e palejuar, pasi avokati që e kishte ushtruar nuk posedonte licencë të vlefshme.
