TË FUNDIT

Shqiptarja nga Presheva zgjidhet sekretare në Asociacionin Amerikan të Shëndetit Publik

Vlera Halimi Fazlija, profesoresha nga Presheva që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zgjedhur sekretare e Seksionit të Shëndetit Oral (Oral Health Section) në Asociacionin Amerikan të Shëndetit Publik (APHA).

Kjo organizatë profesionale është një nga organizatat e rëndësishme në fushën e shëndetit publik në SHBA, ndërsa zgjedhja e Fazlijës për këtë pozitë përbën një tjetër arritje në karrierën e saj akademike dhe profesionale, shkruan Telegrafi.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vlera Halimi Fazlija përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe përvojën e saj nga pjesëmarrja në konferencën vjetore të APHA 2026, e cila është mbajtur në San Antonio të Teksasit.

Gjatë kësaj konference, profesoresha nga Presheva ka prezantuar edhe punën e saj kërkimore, duke shkëmbyer përvoja me profesionistë të shëndetit publik dhe duke diskutuar çështje që lidhen me barazinë në shëndetësi, drejtësinë sociale dhe avancimin e shëndetit oral.

Fazlija është shprehur e nderuar për besimin e marrë, duke theksuar se pret të kontribuojë në misionin e organizatës për avancimin e barazisë në shëndetin oral dhe mbështetjen e politikave të shëndetit publik.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se njohuritë dhe përvojat e fituara gjatë konferencës do t'i ndajë me studentët dhe kolegët e saj, me qëllim të pasurimit të procesit mësimor, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale.

Zgjedhja e Vlera Halimi Fazlijës në këtë pozitë shënon një tjetër sukses të një profesionisteje shqiptare në SHBA, duke e bërë këtë arritje një moment të rëndësishëm edhe për Preshevën. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *