Në mesnatë, një nga uljet më të mëdha të çmimit të benzinës dhe dizelit
Komisioni Rregullator për Energji ka marrë vendim për lirimin e derivateve të naftës mesatarisht për 7,51 për qind krahasuar me çmimet e përcaktuara më 2 nëntor.
Benzinat Eurosuper BS-95 dhe BS-98 lirohen për shtatë denarë për litër, kështu që çmimi i ri i 95-ës bëhet 86 denarë, ndërsa i 98-ës 88 denarë për litër.
Dizeli lirohet për 5,5 denarë dhe do të shitet me 94,5 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri ulet për 6,5 denarë, në 103,5 denarë për litër. Lirohet edhe mazuti, për 6,26 denarë për kilogram, në 49,31 denarë.
Ulja e çmimeve është rezultat i rënies së çmimeve të derivateve të naftës në bursa, kursit më të ulët të dollarit, por edhe i masave të Qeverisë për uljen e akcizave për benzinën dhe dizelin. Për benzinat akciza është ulur për dy denarë, ndërsa për dizelin për katër denarë për litër. Gjithashtu, për dizelin është zbatuar edhe shkalla e ulur e TVSH-së prej 10 për qind.(INA)
