TË FUNDIT

Një klauzolë në kontratë mund t’ia hapë Upamecanos dyert e largimit nga Bayerni

E ardhmja e Dayot Upamecanos te Bayern Munich mund të varet nga një detaj i kontratës së tij të re, i cili mund t’ia lehtësojë largimin nga klubi bavarez gjatë afatit kalimtar të verës.

Në shkurt të këtij viti, pas disa muajsh negociatash, drejtuesit e Bayern Munichut zyrtarizuan vazhdimin e kontratës me mbrojtësin francez. Upamecano, 28-vjeçar, nënshkroi marrëveshje të re që e mban të lidhur me gjigantin gjerman deri në qershor të vitit 2030.

Megjithatë, sipas raportimeve, në kontratën e re mund të jetë përfshirë një klauzolë lirimi në vlerë prej rreth 65 milionë eurosh, e cila do t’i mundësonte futbollistit të largohej nga Bayerni nëse ndonjë klub paguan këtë shumë.

Për këtë çështje është pyetur edhe drejtori sportiv i klubit, Max Eberl, i cili nuk ka pranuar as ta konfirmojë dhe as ta mohojë ekzistencën e një klauzole të tillë, duke lënë të paqartë edhe nëse ajo do të jetë e vlefshme që nga vera e ardhshme.

“Unë nuk jam këtu për të shpjeguar përmbajtjen e kontratave. Një gjë është e qartë: kemi rinovuar me Upamecanon, jemi shumë të kënaqur që e kemi bërë këtë dhe, për të qenë të sinqertë, ai ndihet si në shtëpi këtu”, deklaroi Eberl, sipas Absolut Bayern .

Një klauzolë prej 65 milionë eurosh do të përbënte një mundësi mjaft të favorshme për klubet e interesuara, duke marrë parasysh nivelin dhe përvojën e mbrojtësit francez.

Për këtë arsye, është e pritshme që disa prej skuadrave më të mëdha evropiane ta monitorojnë nga afër situatën e tij.

Upamecano ka regjistruar deri më tani 48 paraqitje me Kombëtaren e Francës. Ai e nisi karrierën te të rinjtë e Valenciennes, përpara se të kalonte te RB Salzburg dhe RB Leipzig, ndërsa në vitin 2021 iu bashkua Bayern Munichut.

Me fanellën e bavarezëve, qendërmbrojtësi ka zhvilluar gjithsej 207 ndeshje zyrtare, duke realizuar 10 gola dhe dhënë 13 asistime. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *