POLITIKATË FUNDIT

Demokratët paralajmërojnë hetime ndaj Elon Musk, Stephen Millerit dhe kompanive të mëdha pas fitores në zgjedhje

Elon Musk, miliarderi i teknologjisë, Stephen Miller, shefi i sapoemëruar i stafit të Shtëpisë së Bardhë, si dhe disa kompani të mëdha amerikane, pritet të jenë në shënjestër të hetimeve të Kongresit, kur demokratët të marrin kontrollin e tij në janar.

Këtë e kanë bërë të ditur të dielën disa ligjvënës të lartë demokratë, të cilët paralajmëruan mbikëqyrje të rreptë ndaj administratës së presidentit Donald Trump dhe aktorëve të tjerë të fuqishëm ekonomikë, pas fitores së thellë të partisë së tyre në zgjedhjet e mesmandatit, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesi Robert Garcia nga Kalifornia dhe senatorja Elizabeth Warren nga Massachusetts, të cilët pritet të drejtojnë përkatësisht Komitetin për Mbikëqyrjen në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Komitetin për Bankat në Senat, premtuan se do të nisin hetime për disa çështje që lidhen me administratën Trump.

Garcia, aktualisht demokrati më i lartë në Komitetin për Mbikëqyrjen, tha se një nga objektivat kryesore do të jetë roli i Elon Musk në shkurtimin e vendeve të punës në administratën federale, përmes Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), gjatë vitit të kaluar.

Hetimet pritet të përfshijnë edhe rolin e Stephen Millerit në politikat e ashpra të administratës Trump për emigracionin.

“Besoj se ka shumë interes, jo vetëm nga komiteti ynë, por edhe nga komitetet e tjera të Kongresit, për të biseduar me zotin Musk”, deklaroi Garcia në emisionin “State of the Union” të CNN-it.

Ndërkohë, senatorja Warren paralajmëroi se edhe disa kompani të mëdha duhet të përgatiten për përballjen me hetime të mundshme parlamentare. Ajo nuk përmendi emrat e kompanive që mund të jenë në fokus.

“Nëse i keni realizuar fitimet tuaja duke mashtruar familjet amerikane dhe duke zhvatur investitorët, atëherë duhet të përgatiteni për hetime, dhe hetime serioze”, tha Warren në emisionin “Face the Nation” të CBS-it.

Në të njëjtën kohë, udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, la të kuptohet se ai dhe kolegët e tij do të mbështesin një nismë për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Deklaratat e ligjvënësve tregojnë se demokratët synojnë ta përdorin shumicën e re në Kongres për të shtuar presionin politik dhe për të shqyrtuar vendimet e administratës Trump, si dhe veprimtarinë e kompanive që mund të kenë përfituar në mënyrë të padrejtë në dëm të qytetarëve dhe investitorëve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *