POLITIKATË FUNDIT

NASA hap konkurs për astronautë të rinj, kërkon kandidatë që mund të jetojnë dhe punojnë në Hënë

Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka hapur aplikimet për gjeneratën e re të astronautëve, duke kërkuar kandidatë që në të ardhmen mund të jetojnë dhe të punojnë në Hënë.

Përmes zgjerimit të programit të saj Artemis, NASA synon të përzgjedhë astronautë që do të kontribuojnë në ndërtimin e një baze në Hënë dhe në përgatitjet për misionet e para me ekuipazh drejt Marsit.

Lajmi u bë i ditur të shtunën gjatë një aktiviteti ajror në Qendrën Hapësinore Kennedy, ku u promovua eksplorimi i Hënës, si dhe përparimet në aviacion dhe teknologji.

“Është një kohë e jashtëzakonshme për t’iu bashkuar trupës së astronautëve të NASA-s. Personat që do të përzgjedhim mund të ecin në Hënë, të jetojnë dhe të punojnë në bazën hënore, si dhe të ndihmojnë në zhvillimin e sistemeve dhe operacioneve që përfundimisht do të mundësojnë dërgimin e ekuipazheve në Mars”, tha administratori i NASA-s, Jared Isaacman.

NASA pret që përzgjedhjen përfundimtare ta bëjë në fund të vitit 2027, kur edhe do të nisë trajnimi i grupit të ri të kandidatëve për astronautë.

Herën e fundit, agjencia kishte hapur aplikimet në vitin 2024. Nga më shumë se 8 mijë aplikantë, në shtator të vitit 2025 u përzgjodhën vetëm 10 astronautë të rinj.

Që nga vitet 1960, NASA ka përzgjedhur gjithsej 370 persona për t’u trajnuar si kandidatë për astronautë. Aktualisht, trupa e saj aktive përbëhet nga 32 astronautë.

Drejtuesit e NASA-s kanë bërë të ditur së fundmi se synojnë rikthimin e amerikanëve në Hënë në vitin 2028. Në këtë projekt pritet të kontribuojnë edhe kompanitë SpaceX dhe Blue Origin, të cilat synojnë të mbështesin uljen e një ekuipazhi në sipërfaqen hënore.

Për të aplikuar, kandidatët duhet të jenë shtetas amerikanë dhe të plotësojnë njërin nga kriteret arsimore ose profesionale: të kenë diplomë masteri në shkencë, teknologji, inxhinieri ose matematikë, kualifikime mjekësore, trajnim si pilot ose të kenë së paku dy vjet punë në një program përkatës doktorature.

Gjithashtu, kërkohen të paktën tre vjet përvojë profesionale në një fushë përkatëse.

Për pilotët, kriteret përfshijnë së paku 750 orë fluturimi si komandant i një avioni reaktiv me performancë të lartë, 1 mijë e 500 orë fluturimi në një avion tjetër me krahë fiks ose 1 mijë orë fluturimi me helikopter.

Të interesuarit kanë afat deri më 3 dhjetor, në orën 23:59 sipas kohës lindore të SHBA-së, për të dorëzuar aplikimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *