“Vranjën e ke afër”, Shaqiri i përgjigjet Dimitrievskit, Dauti me shifra: Kujdes kur flet për shqiptarët!
Rijad Shaqiri thotë se Vranjën e ka afër, ndërsa Ilire Dauti i përgjigjet me Shifra e me paralajmërim për kujdes kur flet për shqitarët dhe gjuhën shqipe. Dy reagime të drejtëpërdrejta ndaj Maksim Dimitrievskit, i cili shqiptarët I cilësoi si “grup I vogël qytetarësh” dhe kundërshtoi përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
“Ky shtet është edhe i shqiptarëve! Shqiptarët nuk janë mysafirë në këtë vend, por popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e tij. Gjuha shqipe nuk është privilegj, as kërkesë për trajtim të veçantë. Është e drejtë që buron nga realiteti shoqëror dhe kushtetues i këtij shteti. Nëse nuk të pëlqen ky realitet, Vranjën e ke afër. – Rijad Shaqiri, Aleanca për shqiptarët.
Edhe Ilire Dauti nuk e la pa përgjigje deklaratën e kreut të ZNAM-it. Ajo i referohet regjistrimit të popullsisë, sipas së cilit shqiptarët përbëjnë mbi 29 përqind të popullsisë.
“Maksim Dimitrievski paska thënë për shqiptarët: „Një grup i vogël qytetarësh.“ Tregoni Dimitrievskit se është duke folur për grupin që është sa 54.4% i numrit të maqedonasve. Pra, më shumë se gjysma e tyre. E tani ky „grupi“ që përbën mbi 54% të numrit tuaj, vështirë se mund të quhet i vogël-përveç se në matematikën tuaj politike që shihet se nuk ju ec. Në Qeveri ndaç rri, ndaç mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.” – Ilire Dauti, Lidhja Shqiptare.
Reagimet vijnë pas deklaratave të kreut të ZNAM Maksim Dimitrievski për lëshimin e koalicionit qeveritar në rast se pranohet që provimi i jurisprudencës mbahet edhe në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Sipas ZNAM-it, partnerët e koalicionit qeveritar duhet të definojnë vijat e kuqe sa i takon provimit të jurisprudencës. Ndërkohë zgjidhja ligjore për provimin e jurisprudencës siç ka mësuar Alsat, pritet të kalojë në seancën e ardhshme të qeverisë. Ajo parashikon provim pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht./Alsat.mk
