Nafie Selmani godet Saranda Imerin: Populli nuk kullot, deputete! Kullosin ata që ushqehen me taksat e qytetarëve!
Nafie Selmani ka reaguar ashpër ndaj deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri, pas një deklarate në rrjetet sociale, në të cilën është përdorur shprehja se populli “kullot”.
Selmani, duke iu referuar përpjekjes së Imerit për të kritikuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se deputetes i ka rrëshqitur gjuha, duke lënë të kuptohet se si e percepton ajo qytetarin. Ajo i kujton deputetes se populli nuk është tufë delesh, por njerëz që punojnë, sakrifikojnë dhe jetojnë nga djersa e tyre. Madje, i bën thirrje që të dalë e pavarur ose në listë të hapur dhe të kërkojë drejtpërdrejt votën e qytetarëve. “Jo, deputete! Populli nuk është dele, edhe kur voton një subjekt politik që përbëhet nga një tufë ujqish”, shkruan Selmani. Në fund, ajo e përmbyll reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për Saranda Imerin: “Deputete, populli nuk kullot! Kullosin ata që ushqehen me taksat tona dhe e shohin popullin si dele.”
