Inteligjenca Artificiale kalon në gisht, prezantohet unaza me ekran
Unazat inteligjente tashmë janë bërë mjaft të njohura, por kanë një kufizim të madh: mungesën e ekranit dhe varësinë nga telefoni për shumicën e funksioneve.
Këtë synon ta ndryshojë Aina Ring, një unazë inteligjente me ekran të integruar, e cila kushton rreth 400 dollarë.
E krijuar nga një kompani e fokusuar në Al, kjo pajisje ka një ekran të vogël që mbështillet rreth gishtit dhe një buton anësor për kontrollimin e funksioneve të ndryshme.
Risia kryesore është aftësia për të parashikuar nevojat e përdoruesit.
Aina Ring lidhet me telefonin, kompjuterin dhe pajisjet e tjera inteligjente, duke analizuar rutinën e përditshme për të ofruar sugjerime në momentin e duhur.
Për shembull, nëse çdo mëngjes niseni për në punë në orën 07:45, por një ditë ende jeni në shtëpi në orën 07:50, unaza mund t'ju njoftojë se jeni vonë. Kur ktheheni në shtëpi, mund t'ju sugjerojë edhe ndezjen e ndriçimit inteligjent.
Pajisja përfshin mikrofon të integruar, përmes të cilit mund të përdorni komanda zanore, të regjistroni shënime dhe të komunikoni me agjentët e Al.
Ajo mund të shërbejë edhe si telekomandë për televizorin, kamerën, muzikën dhe kompjuterët Mac.
Aina Ring është në dispozicion për porosi paraprake me çmim fillestar prej 399 dollarësh, ndërsa dërgesat e para pritet të fillojnë në janar të vitit 2027.
Megjithatë, mbeten disa pikëpyetje për jetëgjatësinë e baterisë, e cila pretendohet të zgjasë deri në 18 orë, si dhe për mungesën e informacioneve rreth funksioneve të monitorimit të shëndetit dhe aktivitetit fizik.
Për momentin, unaza funksionon vetëm me iPhone dhe kompjuterët Mac që përdorin versionet e fundit të sistemeve operative të Apple.
