SHBA ofron miliona për këdo që zbulon sekretet bërthamore të Iranit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një shpërblim deri në 20 milionë dollarë, si dhe mundësinë e zhvendosjes në një vend tjetër, për këdo që ofron informacione mbi programin bërthamor të Iranit.
Sipas Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane, iniciativa amerikane “Rewards for Justice” kërkon informacione për objektet bërthamore të Iranit, pajisjet, personelin e përfshirë, përfshirë shkencëtarët, si dhe lëvizjet që lidhen me këtë program.
Kjo iniciativë e Departamentit amerikan të Shtetit është themeluar në vitin 1984 dhe synon të sigurojë informacione që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Në njoftimin për shpërblimin, Departamenti i Shtetit theksoi se mosbashkëpunimi i Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka bërë që kjo e fundit të humbasë një pjesë të mundësisë për të monitoruar vazhdimisht prodhimin dhe rezervat iraniane të pajisjeve të rëndësishme, si centrifugat.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se forcat amerikane kanë shkatërruar objektet bërthamore të Iranit.
“Ne po sigurohemi gjithashtu që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”, deklaroi Trump të premten gjatë një fjalimi në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida.
Ai shtoi se, nëse SHBA-ja nuk do të kishte ndërmarrë sulmet me bombarduesit B-2 më shumë se një vit më parë, Izraeli sot do të përballej me një kërcënim shumë më të madh.
Programi bërthamor i Iranit ka qenë një nga çështjet kryesore në negociatat për përfundimin e luftës mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, e cila nisi në fund të shkurtit pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka konfirmuar se qeveria e tij po vazhdon përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut. /Telegrafi/
