TË FUNDIT

Tri ndeshje, tri gola të anuluar – Llapi kërkon llogari nga FFK-ja

Llapi ka reaguar zyrtarisht ndaj vendimeve të gjyqtarëve në tri ndeshjet e fundit, duke shprehur pakënaqësinë për anulimin e tre golave në përballjet me Feronikelin 74, Prishtinën dhe Dukagjinin.

Klubi nga Podujeva ka kërkuar sqarime nga organet përgjegjëse të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke vënë në pikëpyetje mënyrën e menaxhimit të situatave të diskutueshme, veçanërisht në ndeshjet ku është në dispozicion sistemi VAR.

Në reagimin e tij, Llapi ka rikthyer fillimisht në vëmendje rastin nga ndeshja ndaj Prishtinës, ku goli i Fiton Ademit u anulua për shkak të një faulli të pretenduar në sulm. Sipas klubit llapjan, në pamjet që posedon nuk vërehet ndonjë kontakt me mbrojtësin kundërshtar që do ta justifikonte vendimin e gjyqtarit.

Pakënaqësi të ngjashme Llapi ka shprehur edhe për episodin në ndeshjen e fundit ndaj Dukagjinit në Klinë. Në këtë rast, gjyqtari kishte sinjalizuar faull ndaj portierit para se topi të përfundonte në rrjetë, duke bërë që aksioni të mos vazhdonte deri në fund dhe të mos mund të shqyrtohej përmes VAR-it.

“Pse nuk lejohen të përfundojnë këto aksione dhe më pas të shqyrtohen situatat përmes VAR-it, sipas protokollit përkatës?”, thuhet në reagimin e klubit.

Llapi ka ngritur pikëpyetje edhe për anulimin e golit në përballjen me Feronikelin 74, pas një prekjeje të topit me dorë nga Gentrit Jaha. Sipas pretendimeve të klubit, topi kishte ardhur pas një devijimi nga lojtari kundërshtar dhe prekja me dorë nuk kishte qenë e qëllimshme.

Në fund, Llapi u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse të arbitrimit në FFK që t’i shqyrtojnë me seriozitet të tri rastet dhe të japin sqarimet e nevojshme për vendimet që kanë ndikuar në këto ndeshje.

Klubi podujevas kërkon transparencë dhe një vlerësim të qartë të episodeve që, sipas tij, kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme për drejtësinë e vendimeve të gjyqtarëve./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *