TË FUNDIT

Gjenerali amerikan Osborn dekoron komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është dekoruar me dy mirënjohje nga Garda Kombëtare e Ajovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shenjë vlerësimi për udhëheqjen dhe kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave ushtarake.

Sipas arsyetimit të dekorimit, Jashari është vlerësuar për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe udhëheqjen vizionare në krye të FSK-së, në mbështetje të Programit të Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Në deklaratë theksohet se angazhimi i tij, përkushtimi personal dhe orientimi strategjik kanë ndikuar në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trajnimeve, ndërveprueshmërisë operacionale dhe zhvillimit profesional të udhëheqësve ushtarakë. Kontributi i gjenerallejtënant Jasharit vlerësohet si i rëndësishëm për suksesin e këtij programi, duke forcuar lidhjet ndërmjet shtetit të Ajovës dhe Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Urdhri i Shën Mauricit i është ndarë për kontributin e veçantë në komunitetin e këmbësorisë, si dhe për integritetin, karakterin moral dhe kompetencën e lartë profesionale.

Në arsyetimin e këtij çmimi thuhet se Jashari është vlerësuar nga një komision i përbërë nga pjesëtarë me përvojë të këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane dhe përkrahës të saj, duke u konsideruar i denjë për këtë njohje të veçantë.

Bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ajovës është një nga shtyllat e rëndësishme të partneritetit të mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen profesionale të FSK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *