Dimitrievski: ZNAM do të largohet nga qeveria nëse provimi i jurisprudencës jepet në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes
“Lëvizja ZNAM nuk do të pranojë dhënien e provimit të jurisprudencës në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Nëse Qeveria merr një vendim ndryshe, me të vërtetë jemi të gatshëm të braktisim koalicionin qeveritar“, deklaroi mbrëmë kryetari i partisë në pushtet, Maksim Dimitrievski, në një intervistë për televizionin „Sitel“.
Dimitrievski tha se qëndrimet e ZNAM-it për këtë çështje i ka të qarta edhe kryeministri Hristijan Mickoski, por se partia është e hapur për bisedime brenda koalicionit qeverisës.
“Në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të kërkoj një takim liderësh, sepse ne me partnerët tanë në qeveri kurrë nuk kemi biseduar hapur për këtë çështje, me qëllim që të definojmë të gjitha vijat e kuqe dhe se çfarë do të thotë kjo në të ardhmen për shtetin dhe për të gjithë sistemin tonë gjyqësor“, tha kryetari i Lëvizjes ZNAM.
Sipas tij, çështja e provimit të jurisprudencës nuk është e izoluar, por prek aspekte më të gjera të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe renditjes shtetërore. Pas kërkesave për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë sferë, sipas tij, qëndrojnë qëllime më të gjera politike. Në këtë kuadër, ai vlerësoi se në vend ekzistojnë forca që duan që shteti një ditë të bëhet konfederatë.
“Maqedonia është republikë, ndërsa fatkeqësisht në vend ekzistojnë forca që duan ta shohin atë një ditë si konfederatë. Në vazhdimësi shfaqen individë të caktuar që bëjnë thirrje për të drejta më të mëdha, bashkim të bashkësive lokale, por në bazë etnike, jo territoriale. Përveç kësaj, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, doli një nga ish-liderët e partive shqiptare dhe tha: ‘Është koha të shpallim Iliridën’. Maqedonia nuk mund të jetë një formë e thjeshtë e shtetit – republikë – nëse avancimin e të drejtave të bashkësive të tjera etnike që e shfrytëzojnë atë të drejtë e konsiderojnë si shtetformuese dhe si të drejtë që duhet ta komplikojë më tej shtetin. Kjo ua lehtëson punën vetëm një grupi të vogël qytetarësh që janë pjesë përbërëse e shtetit, por rëndon procedurën për të gjithë të tjerët“, tha Dimitrievski.
Kërkesat për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, të cilat sipas Dimitrievskit „po imponohen me mjaft naivitet në opinion“, siç tha ai, janë në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias nga viti 2019 për përdorimin e gjuhëve të tjera përveç maqedonishtes në sistemin gjyqësor. Pasojat, sipas tij, do të jenë të mëdha në vetë funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.(INA)
