Pritet proces i gjatë gjyqësor në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Pritet proces i gjatë gjyqësor në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Përfundoi seanca e parë e hapjes së gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, proces ky i cili pritet të zgjasë disa vjet.
Hulumtuesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, i cili e monitoroi prej afër seancën e sotme tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar foli më shumë për strukturën organizative të UÇK-së dhe pretendimet e kësaj zyre, të ngritura në aktakuzë.
Ai pret që ky proces gjyqësor të zgjasë tri apo katër vjet.
“Shqyrtimi kryesor ka me qenë i gjatë, sigurisht ndoshta tre ose katër vite do të zgjasë procesi për arsye se është një numër shumë i lartë i dëshmitarëve i propozuar nga prokuroria, diku më shumë se 300 dëshmitarë prokuroria i ka propozuar dhe nëse një dëshmitar dëgjohet mesatarisht nje ditë, pastaj i kemi edhe palët tjera që kanë të drejtë me marrë në pyetje, atëherë mund të zgjasë ky proces”, tha ai.
Sipas tij, edhe vetë trupi gjykues e ka të vështirë te parashikojë kohëzgjatjen e gjykimit për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve të prokurorisë, që janë mbi 300 sosh.
Alija u shpreh se edhe në këtë proces gjyqësor pritet të ketë seanca të redaktuara e të mbyllura, kjo për shkak të dëshmitarëve, të cilëve u mbrohet identiteti.
“Aty ku kemi dëshmitarë anonim dhe të cilët kanë shprehur dëshirë që deklarata e tyre të mos dëgjohet në publik, ato pjesë do të redaktohen për monitorues dhe publikun, ashtu siç ka ndodhur në rastin kundër Salih Mustafës. Por, mos të harrojmë që palët në procedurë nuk kanë redaktime gjatë gjykimit, pra mbrojtja dhe prokuroria ata do të kenë qasje të plotë”, tha ai.
Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dolën sot para trupit gjykues dhe u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilën i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar e që lidhen me krime lufte. Aktakuza ndaj tyre është komfirmuar në vitin 2020, ndërsa ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të atij viti.