Aktivistët e ASH-së kërkojnë distancim nga BDI/AKI
Liridon Ramadani, anëtar i afërt me Arben Taravarin nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka kërkuar rishikimin e pozicionit të partisë brenda Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), duke kundërshtuar atë që e konsideron relativizim të rolit dhe peshës politike të ASH-së në këtë front opozitar.
Përmes një statusi në Facebook, Ramadani ka theksuar se ASH-ja nuk është zgjatim i BDI-së dhe se partneriteti brenda AKI-së duhet të funksionojë mbi baza të barabarta.
Ai ka rikujtuar se Arben Taravari ishte ai që la postin qeveritar dhe kaloi në opozitë për të krijuar një front të përbashkët opozitar, ndërsa sipas tij, ASH-ja ka marrë edhe goditjet më të mëdha si pasojë e këtij vendimi.
Ramadani ka kundërshtuar edhe barazimin e rolit të Taravarit me atë të Zejdi Rexhepit, duke kritikuar mënyrën e përfaqësimit të AKI-së në tubime dhe debate televizive.
” ” “Nuk mundesh në çdo tubim ta relativizosh rolin e Arben Taravarit me Zejdi Rexhepin. Nuk mundesh me e keqpërdorë modestinë dhe mirëkuptimin e Taravarit për t’i relativizu pozitat e ASH-së brenda AKI-së”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kërkuar që brenda AKI-së të vendosen rregulla të qarta për partneritetin, përfaqësimin dhe vendimmarrjen, duke theksuar se koalicioni përbëhet nga dy parti të mëdha, BDI dhe ASH, krahas partive të tjera.
Në fund, Ramadani ka paralajmëruar se ASH-ja duhet ta rivlerësojë seriozisht qëndrimin e saj nëse nuk sigurohet një partneritet i barabartë.
“Partneritet po, nënshtrim jo!”, përfundon reagimi i tij.
