Rama publikon “Dritaren e Dialogut”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale hapësirën më të re të komunikimit online, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi t’i drejtohen drejtpërdrejt atij dhe qeverisë për problematikat që i shqetësojnë.
“Dritarja e Dialogut është e hapur”, shkruan kreu i qeverisë, bashkëngjitur me një video, ku shpjegon se si funksionon faqja. Sipas kryeministrît, kjo do të jetë një urë komunikimi, e hapur 24 orë.
“Faqja është gati, cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog kur vijnë nga një sfond protestash, përshkallëzimi, dhune, përpjekje për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju”, theksoi Rama.
Ai e përshkroi hapësirën si “një urë funksionale, e hapur 24 orë, ku një skuadër e dedikuar do garantojë qarkullimin e informacionit dhe opinioneve që shkëmbehen”.
Kreu i qeverisë shprehu besimin se përmes kësaj platforme do të arrihet që tensionet e krijuara të zbuten.
Nisma vjen në një moment kur dialogu me qytetarët në rrugë mbetet një nga temat më të nxehta politike në vend, teksa kryeministri duket se po zgjedh kanale të reja teknologjike për komunikimin me publikun. /KosovaNews/
